Për dreq, jo gjithmonë veçantia stilistike apo përpjekja për një stil të shkruari duke përdorur një sintakse të zgjedhur, kinse “me kujdes”, ia qëllon të mbulojë apo të fshehë lajthitje apo shfaqje injorance e deformimi në njohuritë apo dijenitë e individit që rreket vetëm pas fjalëve të renditura në fjali, ani pse pa asnje lidhje logjike me sistemin e referimit që zgjedh.

Shembulli më tipik në tipizimin e injorancës ligjore dhe kushtetuese është për fat të keq në shumë raste vetë Kryeministri me qëndrimet e veta publike.

Ai edhe pse ka më shumë se shtatë vjet në detyrën e kryetarit të qeverisë, nuk ia ka dalë të mësojë qoftë edhe formalisht kodet etike e të përgjegjësisë shtetërore të detyrës që kryen dhe të raporteve të tij kushtetuese me institucionet e tjera të vendit.

Prej mosnjohjes e prej mungesës së kapaciteteve intelektuale për të mësuar mund të shfaqesh injorant dhe kjo gjë nuk përbën ndonjë mëkat, por të këmbëngulësh në mënyrë injorante t’u mbushësh mendjen të tjerëve se ke të drejtë edhe kur je injorant, kjo është pastaj jashtë çdo limiti ku mund të të justifikojë arsyeja njerëzore.

Për të konkretizuar çfarë thashë më lart, po marr si shembull vetëm replikën apo përgjigjen më të fundit të Kryeministrit të vendit, adresuar Presidentit të Republikës në lidhje me autoritetin kushtetues të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Ja se cili është fjalë për fjalë qëndrimi i Kryeministrit:

“Ilir ti je thjesht Komandant i LSI sepse Shqipëria nuk është në luftë dhe në kohë paqe Forcat e Armatosura nuk janë nën komandën e Presidentit të Republikës, i cili sipas Kushtetutës nuk komandon asgjë dhe askënd, po mishëron unitetin kombëtar dhe jo dasinë, sherrin, degradimin!”

Së pari, jo vetëm në kuptimin etik dhe formal, por edhe në atë përmbajtësor dhe kushtetues, duke zgjedhur t’i drejtohet në emrin e tij personal, pra me Ilir dhe jo me “Zoti President” siç do të bënte çdo zyrtar normal dhe që zotëron normat bazë të edukatës së komunikimit, në përpjekjen e vet me tendencë qesëndisëse apo edhe nënçmuese, Kryeministri në fakt nuk fyen as Ilirin dhe as Presidentin e Republikës, edhe pse ai e bën me këtë qëllim, por fyen veten e na jep ne një shenjë injorance e kompleksi inferioriteti që e dominon atë sa herë që hyn në debat apo polemikë me Presidentin e Republikës, siç fyen edhe qytetarët, vetë shtetasit e republikës, teksa zgjedh si mjet të komunikimit publik një qasje me mungesë etike dhe edukate.

Edi me Ilirin mund të komunikojnë me etikën dhe leksikun e tyre kurdo e kudo ku komunikojne si Edi me Ilirin, por kur i drejtohet Presidentit të Republikës, Kryeministri e cilido tjetër zyrtar i shtetit apo edhe çdo shtetas i republikës, është i detyruar të respektojë etikën shtetërore dhe kodet e komunikimit në respekt të hierarkisë shtetërore që imponon kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Por, le ta lemë këtë çeshtje për një trajtesë më të plotë në një kohë tjetër, e le të merremi me autoritetin kushtetues të Komandantit të Përgjithshëm.

Referuar kushtetutës, Presidenti i Republikës është bartës i njëkohëshëm e përgjatë gjithë ushtrimit të detyrës së Presidentit edhe i atributit apo tagrit të mishërimit dhe shprehësit të unitetit kombëtar, edhe i funksionit të Kryetarit të Shtetit, edhe i autoritetit të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Në kuptimin kushtetues, keto atribute apo autoritete përbëjnë institucionin e Presidentit të Republikës si një i vetëm, si një tërësi përgjegjësish kushtetuese të pandashme, të padelegueshme e të patjetërsueshme. Mirëpo, vetëm ndonjë injorant nuk di t’i kuptojë e t’i perceptojë ato si një tërësi atributesh unike kushtetuese të Presidentit të Republikës.

Referuar kushtetutës në frymë e në përmbajtje, Presidenti i Republikës është njëkohësisht e në çdo kohë, në kohë paqeje e në kohë lufte edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, po aq sa është edhe President i Republikës, përkatësisht, Kryetar i Shtetit.

Mirëpo, ata që ia kanë thënë kryeministrit se “në kohë paqe Forcat e Armatosura nuk janë nën komandën e Presidentit të Republikës, i cili sipas Kushtetutës nuk komandon asgjë dhe askënd”, nuk janë më pak injorantë se ai në këtë çeshtje, sepse përndryshe do t’ia kishim shpjeguar zotërisë në fjalë përmbajtjen dhe kuptimin e ligjit “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” ku përcaktohet edhe
hierarkia e autoriteteve të drejtimit e të komandimit strategjik.

Në nenin 9 të këtij ligji, në pikat 1 dhe 2 theksohet:
1. Presidenti i Republikës, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ushtron pushtetin e dhënë nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi.”.
Pra ligji thotë ushtron, pa e përcaktuar apo kufizuar të drejtën e ushtrimit vetëm në kohë lufte siç pretendon Kryeministri, por do të thotë e ushtron në çdo kohë.

Edhe për atë që ka merak Kryeministri, pra për kompetencën në kohë paqeje, kushtetuta dhe ligji njohin pikësëpari autoritetin e Presidentit mbi atë të kryeministrit shprehur në pikën 2 si vijon:

“2. Presidenti i Republikës, në kohë paqeje, e ushtron drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, ndërsa në kohë lufte i drejton Forcat e Armatosura drejtpërdrejt ose nëpërmjet Komandantit të Forcave të Armatosura.”.

Pra është e shkruar qartë e pa asnjë ekuivok në shqip: “Presidenti i Republikës, në kohë paqeje, e ushtron drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes”, që do të thotë se është pushtet i Presidentit, i ushtruar nëpërmjet Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, që në kuptim të pikës 2 të nenit 9, janë vartës të Komandantit të Përgjithshëm. Pra, në asnjë rast Kryeministri, as në kohë paqeje nuk është as formalisht Komandant i Përgjithshëm, por, ushtrimi i pushtetit që është pretogativë e Presidentit në këtë specifikë prej Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, bëhet gjithnjë nën autoritetin e Presidentit të Republikës, i cili edhe në kohë paqeje është gjithashtu Komandant i Përgjithshëm jo vetëm sipas kushtetutës, por edhe sipas këtij ligji, siç përcaktohet edhe në pikat e tjera të nenin 9, si vijon:

“Presidenti i Republikës, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ushtron këto kompetenca:
a) jep gradat madhore, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes;
b) emëron, gradon, shkarkon dhe nxjerr në rezervë ose në lirim, me propozimin e Kryeministrit, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
c) emëron dhe shkarkon, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore;
ç) jep dekorata dhe tituj nderi sipas legjislacionit në fuqi;
d) urdhëron vendosjen e shkallëve të ndryshme të gatishmërisë luftarake të Forcave të Armatosura, në kushtet e masave të jashtëzakonshme;
dh) vendos për mobilizimin dhe për provat e gatishmërisë së njësive ushtarake rezervë;
e) miraton regjimin, rregullat e gatishmërisë luftarake dhe ngritjen në kushtrim të Forcave të Armatosura;
ë) u jep njësive ushtarake, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, flamujt luftarakë;
“f) miraton, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura në kohë paqeje;
g) nxjerr në rezervë ose në lirim, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, oficerët me grada madhore.”.
4. Presidenti i Republikës i rekomandon Këshillit të Ministrave masa, në varësi të nevojave për:
a) përballimin e rreziqeve që i kanosen Republikës së Shqipërisë ose përballimin e gjendjes së luftës;
b) krijimin e njësive të reja ushtarake në Forcat e Armatosura;
c) programe të veçanta për zhvillimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura.
5. Në rastet e përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 3, të këtij neni, Presidenti i
Republikës shprehet brenda 30 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së propozimeve, duke miratuar ose refuzuar propozimin”.

Pra, kushtetuta dhe ligji e kanë përcaktuar qartë dhe saktë edhe autoritetin, edhe përgjegjësinë, edhe hierarkinë e çdo institucioni. Ato nuk mund as të lexohen, as të kuptohen dhe as të zbatohen duke shkëputur fjali të veçanta, por vetëm të marra në tërësinë e tyre, siç e do logjika normale e kushtetuese.

Mirëpo, nuk është hera e parë që njerëz të zgjedhur apo të emëruar të kryejnë detyra të larta shtetërore, ose nuk dinë të lexojnë e të kuptojnë kushtetutën apo ligjet që duhet të zbatojnë, ose me vetëdije bëjnë sikur nuk i kuptojnë e nuk i zbatojnë ato.

Sido që të jetë, në të dy rastet deshmohet vetëm injorancë.
Madje jo vetëm kaq, por edhe kur duan të na thonë se i lexojnë, na prezantojnë përmasën reale të injorancës së tyre, siç bën për fat të keq ditëpërditë edhe Kryeministri, ç’ka në fakt është një dëshmi e dhimbshme e mjerimit intelektual të atyre që qeverisin Shqipërinë e vitit 2020.

Të dish se nuk di është më e mira. Të pretendosh se di kur nuk e di, është sëmundje, ndaj është tani koha të shpëtojmë veten dhe Shqipërinë edhe nga kjo sëmundje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb