Një gjykatë ekuadoriane konfirmoi sot ndalimin e shtetasit suedez, Ola Bini, 36 vjeç, i cilësuar si një person i afërt i themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange me akuzën për sulm ndaj sistemeve informatike.

Një gjykatë e Kuetos hodhi poshtë kërkesën e bërë nga Bini për mosarrestimin e tij, me arsyetimin se lirimi i suedezit mund të përbënte rrezik gjatë hetimeve.

Ola Bini u arrestua ndërsa po përpiqej të udhëtonte drejt Japonisë më 11 prill, në po të njëjtën ditë që Julian Assange, pasi Ekuadori i hoqi të drejtën e azilit politik, u arrestua në ambasadën e Ekuadorit në Londër, ku strehohej që nga viti 2012.

Ministrja e Brendshme, Maria Paula Romo pohoi në atë kohë që një person i ngushtë i Assange ishte i përfshirë në një plan ”për destabilizimin” e pozitave të presidentit Lenin Moreno.

Ajo e përshkroi Ola Binin si një person të afërt me WikiLeaks, pasi shtoi se ai e kishte vizituar këto vitet e fundit Assange të paktën 12 herë në ambasadën e Ekuadorit në Londër.

Australiani Julian Assange, 47 vjeç, u arrestua në ambasadën e Kuetos në Londër ku ishte i strehuar që nga 2012 për të shmangur ekstradimin drejt Suedisë, ku ishte i akuzuar për përdhunim, një çështje e mbyllur që nga ajo kohë.

I kërkuar gjithashtu nga SHBA-ja, ai refuzoi një ditë më parë para drejtësisë britanike ekstradimin e tij në këtë shtet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb