Viktoria, një qytetare nga Ukraina, ka përshkruar ngjarjen më të bukur të jetës së saj, ndjesinë e të bërit nënë për herë të parë, në ditën e dytë të pushtimit rus. 32-vjeçarja ka rrëfyer për The Guardian historinë e saj të jetës, se si e lindi djalin në një bunker nëntokësor që u transformua si spital.

HISTORIA
Ishte dita e dytë e luftës. Isha vërtet nervoz, pasi po dëgjonim shpërthime. Po lutesha të takoja djalin tim. Fillova të pastroj gjithçka në shtëpinë time, duke u përgatitur për fëmijën, madje edhe kur fillova të ndjeja dhimbjen, nuk mund ta besoja se do të lindja gjatë luftës.

Unë dhe burri im kishim frikë të shkonim me makinë në spital për shkak të shpërthimeve. Fillimisht na u desh të kalonim rreth 30 minuta në radhë për të marrë gaz. Pastaj po kalonim nëpër Kiev ku rrugët ishin bosh. Nuk e kisha parë kurrë një qytet kaq të zbrazët. Dëgjuam zhurmën e sirenave. Ishte e frikshme, tamam si një film, por përpiqesha të qëndroja pozitive.

Kur mbërritëm, të gjitha dritat ishin fikur sepse stafi i spitalit kishte frikë se mos bombardohej godina. Doktori im na takoi dhe na dërgoi në një dhomë shumë të rehatshme dhe plot ngjyra. Por dy orë më vonë dëgjuam sirenat. Gjithçka ishte e shumë e zhurmshme. Gjatë shtatzënisë kisha bërë kurse joga, u përgatita për një lindje të lehtë, pasi kisha bërë kurse, por nuk ishte ashtu!

Doktori tha se duhej të shkonim në strehën e bombave. Kishte panik teksa njerëzit po nxitonin. Nuk mund të veshja as pantallonat sepse ishte shumë e dhimbshme. Kur hymë në strehë mbetëm të tronditur. Ajo ishte ndërtuar në kohën e regjimit sovjetike dhe nuk ishte mirëmbajtur, pasi ishte shumë lagështi dhe ftohtë.

Ne u caktuam të shkonim në një dhomë të vogël pa derë, por vetëm një perde dushi na ndante nga dhoma kryesore me 50 persona brenda saj. Nuk kishte teknologji mjekësore, vetëm një karrige gjinekologjike. Po përpiqesha të mos shikoja nga ajo karrige, dhe shpresoja të kthehesha në spital së shpejti.

Pasi më plasën ujërat, doktori më tha: “OK, do ta bëjmë këtu, është shumë e rrezikshme të presësh.”. Në atë moment nuk kisha frikë dhe i besova mjekut tim. E vetmja gjë në mendjen time që kisha ishte që të mbaja djalin tim në krah dhe t’i jepja fund dhimbjes.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

U gëzova shumë kur pashë djalin tim, Fedor. Me flokët e zeza dukej si një kopje e vogël e burrit tim, i cili preu kordonin. Kur e mbajta Fedorin në kraharor, ai ishte shumë i ngrohtë.
Ndërsa e mbaja në bunker, i thashë: “Ti je me fat, je unik, je i lindur në Ukrainë, je një ukrainas i ri”.

Çdo mëngjes tani zgjohem pak më herët vetëm për ta parë atë duke fjetur, ai duket si një engjëll i vogël. Unë gjithashtu shikoj nga dritarja për të parë nëse ndërtesat kanë qëndruar në vendet e tyre apo nëse janë rrënuar.

Shpresoj që djali im ta përjetojë këtë luftë vetëm nga historitë dhe mos ta ndjejë si në jetën reale. Unë nuk dua që ai të dijë për luftën e vërtetë.

Pavarësisht luftës, Fedor ka sjellë kaq shumë dashuri, lumturi dhe mirësi në shtëpinë tonë. Ne kujdesemi për të dhe kjo na bën të lumtur. Unë shpresoj dhe lutem për paqe, pasi ai është një ukrainas i ri, ai duhet të rritet në një Ukrainë të re.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb