Drejtori i informacionit në “News24”, Robert Rakipllari, kujtoi mes dhimbjes punën për plot një dekadë me Presidentin e “Fax News”, Kasem Hysenbelliu, i cili u nda nga jeta ditën e sotme, pas betejës me koronavirusin.

Në studion e “News24”, Rakipllari tha se Hysenbelliun do ta kujtojë gjithmonë si drejtuesin e talentuar dhe njeriun më pozitiv që ishte gjithmonë në krah të gazetarëve. Teksa e cilësoi të dhimbshëm dhe tronditës lajmin për ndarjen e tij nga jeta, ai theksoi se nuk e kishte menduar kurrë që do t’i bënte elegji një miku aq të afërt.

“Është shumë e dhimbshme të flasësh për një mik shumë të afërt, siç ishte Kasem Hysenbelliu. Është tronditëse, nuk e kisha menduar kurrë që do t’i bënim elegji në një moshë shumë të re dhe që ishte në kulmin e angazhimit të tij profesional në televizionin “Fax News”. Unë kam bashkëpunuar mbi 10 vite si kryeredaktor te gazeta “Panorama” dhe kam kujtimet më të mira. Përveçse ishte një person i jashtëzakonshëm nga pikëpamja humane, ka dhe një kontribut të madh në rritjen e gazetës “Panorama”. Më tej, ishte drejtor i televizionit “News24”, në të cilin ka dhënë kontributin e tij në transformimin e këtij televizioni si media më e madhe informative në vend.”, tha Rakipllari.

“Unë e kujtoj vetëm në mënyrë pozitive, ishte mbështetës i fortë i lirisë dhe pavarësisë së medias. Nuk është e rastit që ai drejtonte gazetën kryesore në vend,e më pas televizionin “News24”, e deri te televizioni që themeloi “Fax News”.

Në çdo moment na ka mbështetur që të jemi në krah të interesit të qytetarëve dhe të besojmë në një media etike dhe profesionale . Ehe kur ka pasur tensione politike, ishte gjithmonë në krahun e gazetarëve për të dhënë më të mirën. Ishte dhe një mbështetës shumë i madh i gazetarëve të rinj, nuk paragjykonte askënd, por iu jepte të gjithëve mundësinë për të shprehur talentin e tyre. Ai nuk sillej si drejtues në kuptimin klasik, por ishte një njeri që ndante me njerëzit mundësinë se si puna të bëhej më mire, kishte gjithmonë frymën e ekipit. Mendoj që kemi humbur një njeri shumë pozitiv nga të gjitha pikëpamjet. Një menaxhet të shkëlqyer dhe një mik e koleg të të gjithë njerëzve të medias”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb