Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend.

I pyetur në lidhje me ndarjen mes demokratëve, Basha u shpreh se ka një Parti Demokratike dhe një pjesë që iu mbivendos interesave të demokratëve për një axhendë personale, duke iu referuar Rithemelimit.

Ai u shpreh se nuk mund të ketë bashkime mekanike, por bashkimi me PD ndodh përmes parimeve si reforma zgjedhore, qëndrimi ndaj drejtësisë dhe partneriteti me Perëndimin.

Çfarë ju ka treguar kjo e kohë e luftës brenda PD?

Basha: Ka qenë shumë e vështirë, jo vetëm për mua, pro edhe për demokratët. Kemi nxjerrë shumë mësime. Politika e ka të nevojshme rinovimin. Listat e hapura u shërbejnë dy qëllimeve, sepse u lejojnë qytetarëve të çojnë në Parlament atë që duan, jo atë që zgjidhet nga kryetari. Kjo nxit konkurrencën e brendshme. Në kushtet e demokracisë shqiptare kjo duket pak utopike, por ne kërkojmë të rivendosim fijet e këputura mes përfaqësuesve dhe zgjedhësve.

Sot ka dy grupe parlamentare, një vendim gjykate pritet të vendosë fatet e kësaj beteje. Sot kemi dy pjesë të PD që mund të bëhen një?

Basha: Kemi një PD dhe një pjesë që iu mbivendos interesave të demokratëve për një axhendë personale. Dalja nga kjo situatë ndodh duke bashkuar forcat rreth interesit publik dhe atij të demokratëve. Nuk bëhet fjalë për bashkime mekanike. Bashkimi i PD bëhet përmes parimeve, reforma zgjedhore, qëndrimi ndaj drejtësisë dhe partneriteti me Perëndimin. Këtu jemi të hapur.

PD a nuk mund ta zgjidhte këtë me mjete politike, pse duhet të kalonte gjithë kjo kohë në krizë, që më tepër ka dëmtuar PD dhe i ka dhënë bonuse qeverisë?

Basha: Duhet të mendojmë çfarë është e mirë për PD dhe shqiptarët, jo interesat personale. Në thelb, ajo që na ndan dhe ajo që mund të na bashkojë në fund është çfarë është e mirë për shqiptarët është e mirë për PD, për shqiptarët ka nevojë për rotacion dhe PD duhet të hedhë hapat drejt rotacionit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb