TIRANË

Shtyhet seanca për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se shkak për shtyrjen e seancës është bërë fakti se njëra prej palëve, konkretisht z. Fatmir Mediu nuk ka marrë dijeni rregullisht për seancat.

“GJKKO nuk ka mundur të dalë me një vendim për çështjen, përderisa ish-ministri i Mbrojtjes nuk ka marrë dijeni dhe seanca na dhomën e Këshillit nuk është zhvilluar. SPAK iu drejtua në muajt e parë të vitit Gjykatës së Lartë me kërkesën për revokimin e vendimit të 2009 që pushoi çështjen ndaj Mediu me arsyetimin se nuk mund të gjykohet pasi ishte me imunitet”, raportoi Lala.

“Me referimin në parashikimin e pikës 1, shkronja b), të nenit 46 të ligjit 98/2016 si dhe, në interesin e treguar nga media, komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 17.09.2021, ora 10:00, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ishte planifikuar për t`u shqyrtuar në dhomë këshillimi çështja me nr. 212 akti, datë regjistrimi 03.09.2021, mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm dhe trashëgimtarëve të viktimës E.D., seancë e cila, sipas nenit 427/a pika 4 të K.Pr.Penale, u shty për të vijuar më datë 24.09.2021, ora 10:00, për shkak se njëra prej palëve, konkretisht z. F.M. nuk ka marrë dijeni rregullisht”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

SPAK kërkon revokimin e vendimit të Gjykatës së Lartë dhe rinisjen e gjykimit për ish-ministrin e Mbrojtjes për akuzën e shpërdorimit të detyrës në lidhje me tragjedinë e Gërdecit ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve mbetën 26 të vrarë dhe qindra të plagosur. Seanca është caktuar më 24 shtator.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: