TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në “Twitter” për vendimet e fundit të maxhorancës, miratimin e dekretit të Presidentit Ilir Meta për shkarkimin e Fatmir Xhafajt si dhe emërimin e Sandër Lleshit zëvendës ministër i Brendshëm.

Por kryeministri me sa duket ka rezervuar edhe surpriza. Ai shkruan se nuk mbaron me kaq e me sa duket detajet do të mësohen nesër në seancën e jashtëzakonshme në orën 10:00/

“Dakordësi e plotë në Grupin Parlamentar. Kuvendi do të miratojë nesër dekretin e Presidentit për shkarkimin e ish-ministrit të brendshëm. Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e MB si zëvendës ministër. Por nuk mbaron me kaq. Për më shumë do t’i drejtohem Kuvendit nesër në 10.00”, shkruan kryeministri.

Rama Tw
Rama Tw

Kryeministri Rama është takuar paraditen e djeshme me Presidentin Meta, i cili nuk e dekretoi Sandër Lleshin Ministër të Brendshëm. Por edhe pas refuzimit, Rama nuk ka hequr dorë nga emërimi i Lleshit në një formë tjetër.

Kryeministria njoftoi dje pas takimit Rama-Meta se “me kërkesë të tij, Kryeministri u takua me Presidentin e Republikës, për të diskutuar rreth përmbajtjes së letrës së këtij të fundit mbi propozimin për dekretimin e Gjeneral Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm. Bashkëbisedimi ishte i hapur e konstruktiv dhe kryeministri do të vijojë komunikimin me Presidentin e Republikës”.

“BalkanWeb” mësoi se në mbledhjen e sotme të grupit të PS u mor vendimi që gjeneral Lleshi të emërohet në postin e zv/ministrit të brendshëm, por do të gëzojë kompetencat e ministrit.

Për këtë arsye parlamenti do të mblidhet ditën e martë në një seancë të jashtëzakonshme në orën 10:00.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb