Nga: LEONARD OLLI*
Prej disa ditësh shifrat alarmante të shqiptarëve që kërkojnë azil në vendet e BE-së kanë rritur ndjeshëm shqetësimin e partnerëve tanë evropianë dhe njëkohësisht kanë sjellë në qendër të vëmendjes situatën e rëndë ekonomike dhe sociale që kalojnë sot shqiptarët. Të dhënat e fundit të BE-së, sollën në dritë një realitet të dhimbshëm. Pas Kosovës dhe Sirisë në luftë, shqiptarët janë të tretët në listën e vendeve me numrin më të madh të azilkërkuesve. Ndërkohë që vetëm dy vite më parë, ata zinin vendin e dytë nga fundi, pas Malit të Zi. Fakti që ky numër është rritur frikshëm gjatë vitit të fundit është një provë e padiskutueshme se përgjegjësia e qeverisë është jo vetëm në nivel menaxhimi, por edhe politik e politikash sociale.
Kjo akuzë vjen nga vetë azilkërkuesit të cilët pa asnjë hezitim pohojnë se varfëria absolute, papunësia, mungesa e plotë e mbështetjes sociale dhe mbi të gjitha mungesa e shpresës janë arsyet kryesore të largimit të tyre nga vatrat familjare.
Por, ndërsa të gjithë prisnin që qeveria shqiptare të ndërmerrte hapa energjikë për të gjetur mënyra efikase, të cilët do të mundësonin ndalimin e kësaj hemorragjie të re humane, ndodhi krejt e kundërta. Zyrtarë të lartë, e më pas vetë kryeministri u përpoqën të lajnë duart si Pons Pilati.
Hapi i parë energjik ishe ai i hedhjes së fajit ndaj të tretëve, një praktikë tashmë e njohur e kësaj qeverie. U akuzuan grupe kriminale trafikantësh fantazmë apo agjenci udhëtimesh, sërish fantazmë, si përgjegjës kryesorë. Ishin ata që mashtronin shqiptarët për të kërkuar azil në Evropë. Ky argument nuk është vetëm qesharak, por mbi të gjitha provë e papërgjegjshmërisë totale dhe arrogancës që qeverisja e kësaj maxhorance ka reflektuar që ditën e saj të parë. Pyetja më e thjeshtë që të vjen ndërmend pas këtij argumenti është: Kur kryeministri dhe organet ligjzbatuese kanë dijeni për ekzistencën e këtij grupi trafikantësh, përse nuk i ka gjetur dhe ti vejë përpara drejtësisë? Nëse ata ekzistojnë, cilat janë veprimet e përbashkëta me shtetet anëtare të BE-së për ndëshkimin e tyre? Këtu mbizotëron heshtja. Një heshtje si provë e qartë se nuk ka grupime të tilla, pasi lëvizja e shqiptarëve në zonën Shengen është e lirë dhe s’ka mundësi dhe arsye që të ketë trafikantë. Por, edhe nëse do të kishte të tillë, ky trafik nuk i shpëton ligjësisë: Kërkesë-ofertë. Pra ka kërkesë, ka njerëz që duan të largohen një orë e më parë nga Shqipëria, pasi e kanë të pamundur të mbijetojnë. Nëse nuk do të ishte mundësuar lëvizja pa viza, sigurisht që trafikantët jo vetëm nuk do të ishin fantazma, por rreziku i përsëritjes së tragjedive si ajo e Otrantos apo tragjedive që po ndodhin në Mesdhe thuajse çdo ditë do ishte një realitet tejet i dhimbshëm. Madje, edhe në rastet që mediat pranë qeverisë kanë paraqitur publikisht, përtej çdo insistimi nuk kanë mundur të gjejnë asnjë pohim se këta persona kanë paguar, si për të ikur ashtu dhe për të përfituar leje qëndrimi në vendet ku kanë shkuar. Me gojën e tyre kanë deklaruar se nuk kanë asnjë mundësi jetese apo punësimi. Këto pohime rrëzojnë bindshëm alibitë qeveritare.
Por arroganca nuk ka të ndalur. Guri i rëndë i fajit iu hodh qeverisjes 8-vjeçare të PD-së, ndërkohë që ministri më përgjegjës për këtë situatë, individi që garon dhe për kreun e Bashkisë Tiranë, Veliaj, akuzoi se ata që largohen janë nga zona që në nivel lokal menaxhohen nga të zgjedhurit me siglën e PD-së. Është pikërisht kjo shkallë e lartë papërgjegjshmërie dhe cinizmi shenja më e qartë se kryeministri dhe qeveria e drejtuar prej tij nuk kanë ndërmend jo vetëm të gjejnë rrugëzgjidhje, por nuk kanë asnjë vizion për të ndalur rrënimin ekonomik ku e kanë zhytur vendin.
Paralelisht, hapi i dytë “energjik” që kryeministri ndërmori për të përballuar situatën ishte ndalimi masiv i shqiptarëve që për arsye nga më të ndryshmet duan të udhëtojnë në zonën Shengen. Por, në shtetin policor që Rama dhe Tahiri kanë instaluar ky është një veprim normal. Tashmë mbetet rikthimi i kloneve, telave me gjemba dhe udhëtimi me dokumente identifikimi në zonat kufitare, si praktikat më efikase që regjimi komunist përdori për 45 vite me radhë, e pse jo rikthimi i vizave sikundër një përfaqësues i kësaj maxhorance propozoi paturpësisht në një studio televizive.
Zoti kryeministër, nuk mbulohet dielli me shoshë. E vërteta është një dhe e vetme. Gjendja e rëndë ekonomike, keqqeverisja juaj, neglizhenca kriminale për fatet e vendit dhe varfëria deri në dëshpërim, janë arsyet e vetme që po prodhojnë eksodin e tretë në Shqipëri. It’s the economy stupid (Është ekonomia budalla), kjo thënie kuptimplotë e z.Klinton gjatë garës të tij të parë presidenciale, është arsyeja e vërtetë se pse shqiptarët po braktisin çdo ditë e më shumë vendin e tyre. Politikat e çoroditura fiskale, barra e rëndë e taksave, çmimet e produkteve të shportës dhe jo vetëm, që janë ngritur maksimalisht dhe korrupsioni galopant i administratës shtetërore kanë bërë që mijëra biznese të mbyllen e qindra mijëra shqiptarë të heqin dorë nga çdo iniciativë për të ndërtuar jetën e tyre në Shqipëri.
Vetëm nëse një ditë do të gjeni kurajën të pohoni këtë të vërtetë (që për fat të keq nuk ka për të ndodhur), vetëm atë ditë ka një mundësi të vetme të provoni se i doni shtetasit tuaj dhe merrni seriozisht përgjegjësinë për qeverisjen e tyre.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: