Prokurori i Përgjithshëm rus ka bllokuar aksesin në dy media të pavarura, Echo of Moscow dhe TV Rain, për shkak të ‘shkeljeve’ të supozuara mbi raportimin e tyre mbi pushtimin e Ukrainës.

Në një deklaratë, prokurori i përgjithshëm akuzoi dy mediat për shpërndarjen e asaj që e quajti “informacion i njohur si i rremë në lidhje me veprimet e ushtarakëve rusë, si pjesë e një operacioni special për të mbrojtur Republikën Popullore të Donetskut dhe Republikën Popullore të Luhanskut”.

Ai gjithashtu thotë se Echo of Moscow dhe TV Rain kanë postuar informacione të cilat thotë se bëjnë thirrje për “ekstremizëm, dhunë kundër qytetarëve të Federatës Ruse, shkelje masive të rendit publik dhe sigurisë publike”. Autoritetet në Rusi ndalojnë tubimet pa leje dhe mund të konsiderojnë transmetimin ose raportimin e informacionit specifik për tubime të paautorizuara si organizim të protestave të paligjshme.

Të shtunën, rregullatori rus i komunikimeve Roskomnadzor paralajmëroi 10 media lokale se do të kufizonte aksesin në botimet e tyre nëse nuk ndalojnë përhapjen e informacionit të rremë, duke përfshirë referenca për operacionin ushtarak në Ukrainë si një “sulm, pushtim ose shpallje lufte”.

Në letrat e dërguara këtyre mediave, rregullatori tha se ankohej për gjoja “informacione të rreme” që ata publikuan mbi bombardimet e qyteteve të Ukrainës dhe vdekjen e civilëve të shkaktuar nga forcat e armatosura ruse.

Mediat e njoftuara ishin: Echo of Moscow, InoSMI, Mediazona, New Times, TV Rain, Svobodnaya Pressa, Krym.Realii, Novaya Gazeta, Zhurnalist dhe Lenizdat. Redaktori i Novaya Gazetës, Dmitry Muratov, fitoi çmimin Nobel për Paqen në vitin 2021. Disa prej këtyre mediave janë caktuar nga autoritetet ruse si agjentë të huaj.

“Në qoftë se informacioni i mësipërm i pasaktë nuk hiqet, qasja në këto burime do të kufizohet”, tha ajo në një deklaratë të shtunën, duke njoftuar një hetim ndaj organeve mediatike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb