Kombet e Bashkuara të enjten u bënë thirrje të gjitha palëve në konfliktin në Ukrainë që të heqin çdo pengesë që bllokon lëvizjen e lirë të personelit humanitar për të lejuar ofrimin e ndihmës për shpëtimin e jetës në të gjithë Ukrainën.

Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të enjten mbi ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Ukrainë, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Humanitare dhe Zëvendës Koordinatorja e Ndihmës Joyce Msuya tha se sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, palët duhet të respektojnë të gjithë civilët si dhe shtëpitë e civilëve.

“Kjo përfshin lejimin e civilëve që të largohen vullnetarisht dhe në mënyrë të sigurt nga zonat e armiqësive,” shtoi ajo, shkruan CNN.

Msuya tha gjithashtu se Kombet e Bashkuara dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ishin në gjendje të evakuonin 174 civilë të hënën nga uzina Azovstal në Mariupol dhe pjesë të tjera të qytetit. Msuya shtoi se ky ishte operacioni i tretë në javën e kaluar jashtë Mariupolit, “duke e çuar numrin e përgjithshëm të civilëve të evakuuar nga fabrika e çelikut Mariupol dhe qytetet fqinje në mbi 600”.

Msuya tha se pothuajse 14 milionë ukrainas janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Nga ky numër, 8 milionë janë zhvendosur brenda vendit. Organizatat joqeveritare kanë ofruar ndihmë për më shumë se 5.4 milionë njerëz, tha ajo, shumica e të cilëve janë në Ukrainën lindore.

Msuya theksoi gjithashtu rëndësinë e OKB-së në eksplorimin e të gjitha opsioneve për të shpëtuar jetë në Ukrainë, duke thënë: “Ne mbetemi të vendosur fort të mos lëmë gurë pa lëvizur”.

“Bota e pret këtë nga ne; populli i Ukrainës e meriton këtë,” shtoi Msuya.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: