Ish-ministri i Jashtëm Edmond Panariti ka qenë i ftuar në emisionin ‘Frontline’ në News24 ku ka komentuar zhvillimet e fundit politike, që përfshijnë takimin e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe zhvillimet në kuadër të nismës “Open Balkan”.

Panariti e ka konsideruar “Open Balkan” një derivat jo të suksesshëm të Procesit të Berlinit. Sipas tij, Shqipëria do të kthehet në një kosh të mallrave të importit nëse nuk i strukturon marrëveshjet në një plan të mirëfilltë financiar.

Sa i përket firmosjes së marrëveshjes së energjisë në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë, Panariti nënvizoi se ishte tepër e rëndësishme në këtë kohë krize ekonomike, që qeveria Kurti të kërkonte faturimin e energjisë në Veri të vendit.

FJALA E PANARITIT:

Dëgjo, Ballkani i Hapur ka filluar në vitin 2014, ky është “Ballkani i Hapur” i vërtetë që filloi me një proces historik. Asokohe Gjermania reagoi dhe futi në lojë procesin e Berlinit duke i dhënë një perspektivë integruese Ballkanit mbi bazën e Interkonjeksionit, lirisë ekonomike dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve bilaterale. Po të bësh një krahasim midis kësaj nisme paralele që është Ballkani i Hapur, kjo ka një element kryesor që e largon nga Procesi i Berlinit dhe mungon bashkëpunimi me shtetet e Bashkimit Europian dhe nuk përmendet zgjidhja e mosmarrëveshjeve bilaterale. Në procesin e Berlinit BE ishte e investuar me projekte dhe fonde, kurse këtu nuk kam parë. Nuk kam parë këtu dokumente për projekte në afatshkurtër dhe afatgjatë, por një nismë serbe që i janë bashkëngjitur disa shtete. Nuk i është bashkuar Bosnja & Hercegovina. Kjo është nismë paralele që i vlen Serbisë për të ndaluar dialogun me Kosovën, pasi edhe BE i vuri kusht që nuk ka anëtarësim pa njohjen reciproke. Vuçiç kërkon nëpërmjet nismave paralele për të gjetur artifakte për ta shtyrë marrëveshjen.

Unë mendoj që ky është qëndrimi më i përgjegjshëm më konsistent. Kemi një vazhdimësi të linjës Merkel edhe nga kancelari Scholz i cili nuk njohu proces tjetër përveç atij të Berlinit për shtyrjen e të gjithë rajonit drejt Bashkimit Europian. Këto devijime më shumë frenojnë se na shtyjnë drejt unionit.

Marrëveshje në Bruksel për energjinë Kosovë-Serbi. A po luan Albin Kurti një dopio-kartë pasi shfaqet me nacionalizëm kur flet në Prishtinë dhe refuzon Serbinë, ndërsa në Bruksel shkon dhe firmos marrëveshje?!

Nuk ka dopio-kartë, kjo është koherencë. Të gjithë jemi për dialogun Prishtinë-Beograd dhe do ketë takime edhe midis dy kryeministrave. Nis edhe me nisma ekonomike, pasi Kurti kërkoi të faturohet energjia edhe në Veri. Ai nuk duhet gjykuar, është një veprim racional dhe duhet të vazhdojmë në këtë linjë të dialogut. Këto marrëveshjet në fushën e energjisë sot marrin më shumë vlerë sepse kemi deficite të mëdha të naftës dhe gazit por edhe nga lufta në Ukrainë.

Në këtë mes Kosova u tregua pragmatiste se komunat në Veri janë pjesë integrale e Kosovës dhe kërkimi i faturimit të energjisë si pjesë e territorit do të kërkojë dialog me Beogradin por këto janë në interes të ngushtë të Kosovës. Prandaj insistoj te Procesi i Berlinit sepse kërkonte që të gjithë vendet e rajonit ti sillte në të njëjtin kompetivitet dhe njëtrajtësi konkurrence, e standardesh të prodhimit dhe shërbimit.

Kush do jenë instrumentet financiarë që do e kthejnë “Open Balkan” në përfitues për Shqipërinë dhe jo në një kosh të mallrave të importit. Këto duhen parë me shumë kujdes. Prandaj kam përshtypjen që kjo mund të krijojë supermacinë e një vendi mbi të tjerët, pra kush ka GDP më të madhe.

Ka një handikap politik, sepse ky është një vend që ti nuk e njeh. Një vend që vjen të marr pjesë aty si një vend sovran, por Vuçiç thotë unë nuk e njoh Kosovën dhe pastaj e fton.  Open Balkan nuk është për të shitur patate dhe domate por ka histori më të thellë dhe çështje të rëndësishme që do ti shohim më vonë. Unë nuk mendoj që këto marrëveshje lindin për arsye ekonomike, por për çështje më të rëndësishme politike.

Por, SHBA nuk i njeh këto marrëveshje politike?

Unë mendoj se ka devijime politike, ndaj edhe Lavrove përshëndeti “Open Balkan”. Por ato mund të kenë edhe derivate.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb