Një operacion i përbashkët mes SPAK dhe autoriteteve franceze ka goditur një skemë të gjerë mashtrimi kompjuterik që synonte qytetarë francezë përmes investimeve në kriptomonedha. Si rezultat, është ndaluar një shtetas shqiptar i dyshuar si person kyç në këtë aktivitet kriminal.
Sipas njoftimit zyrtar, më 22 prill 2026, në bashkëpunim me Divizionin Financiar dhe Dixhital të Kërkimeve të Xhandarmërisë së Pau në Francë, u ushtruan kontrolle në një qendër thirrjesh dhe në katër banesa në Tiranë. Operacioni u zhvillua në kuadër të një hetimi të përbashkët për veprën penale të “mashtrimit kompjuterik”, të kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Hetimi nisi pas shkëmbimit të informacionit përmes Eurojust, i cili referoi të dhëna mbi mashtrimin e disa shtetasve francezë përmes platformës online “UNIVERSAL TRADE”. Sipas autoriteteve franceze, viktimat janë joshur të investojnë në kriptomonedha nga persona që prezantoheshin me identitete të rreme franceze.
Dëmi financiar është i konsiderueshëm: katër shtetas francezë kanë humbur rreth 845,400 euro, ndërsa dëmi total ndaj 13 viktimave të identifikuara ka arritur në rreth 1.1 milionë euro për periudhën shkurt–maj 2023.
Nga hetimet rezulton se fondet e përfituara nga mashtrimi janë transferuar përmes portofoleve të kriptovalutave, të hapura nga disa shtetas shqiptarë. Mes tyre janë identifikuar shtetasit me iniciale A. B., E. Sh., B. Z., F. B. dhe G. P.
Sipas provave të mbledhura, shtetasi G. P. dyshohet të ketë pasur rolin kryesor në hapjen e portofoleve dhe transferimin e fondeve të përfituara nga mashtrimi. Ai është ndaluar me urdhër të prokurorit të posaçëm dhe arrestimi është ekzekutuar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar një sërë provash materiale, përfshirë pajisje kompjuterike, telefona celularë, pajisje memorizuese, katër portofole “cold wallet”, një automjet luksoz, dokumente të ndryshme, vula subjektesh ekonomike dhe dokumente identifikimi të dyshuara si të falsifikuara. Gjithashtu, janë sekuestruar edhe shuma monetare në valuta të ndryshme, me një vlerë totale rreth 5 milionë lekë.
Operacioni është zhvilluar me mbështetjen e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Policisë së Shtetit, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht përgjegjësinë penale të të gjithë personave dhe subjekteve të përfshira në këtë aktivitet kriminal ndërkombëtar.
