Një urdhër nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i botuar edhe në Fletoren Zyrtare, paraqet me detaje veprimtarinë e operacionit Forca e Ligjit, për evakuiimin e objekteve, ndaj së cilëve është vënë masa e sekuestros, pasi vlerësohet se është përfituar nga veprimtari e paligjshme e kriminale.

Udhëzimi nr. 80 i publikuar sot është firmosuar nga ministri i Brendshëm më 6 mars të këtij viti. Në këtë udhëzim thuhet se përjashtohet nga nga procesi i procedurave të evakuimit, ndërtesa të cilat “rezultojnë të jenë të regjistruara për funksion banimi dhe aktualisht në to jetojnë persona, të cilët nuk kanë mundësi tjetër strehimi”.

“Procedura e evakuimit dhe e lirimit të ndërtesës duhet të kryhet duke shmangur çdo ngjarje të mundshme me pasoja të rënda për jetën e punonjësve të policisë dhe të personave që do të largohen nga  ndërtesa. Në pamundësi të parandalimit të këtyre ngjarjeve, procedura e evakuimit duhet të planifikohet për t’u zhvilluar në një orë dhe/ose datë tjetër nën drejtimin e zëvendësdrejtorit të OFL-së”, parashikon gjithashtu udhëzimi i publikuar sot.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Vendimi parashikon që në procesin e sekuestrimit përfshihet çdo objekt me veprimtari prodhimi, magazinimi dhe tregtare, objekte në fushën e hotelerisë, bar, restorante, në fushën e kulturës, arsimit dhe sportit, “si dhe çdo objekt tjetër i mbyllur, i konstruktuar e i ndërtuar si ndërtesë me beton, gurë, tulla, dru ose llamarina metalike, ku mund të zhvillohen aktivitete të ndryshme”.

Vendimi parasheh gjithashtu edhe kushtet dhe rregullat për zbatimin e urdhrit të evakuimit të ndërtesave.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb