NGA PROF. DR. ARBEN MALAJ

E vetmja mënyrë për të fituar në bastet sportive është duke mos vënë baste”, Anonim. Personalisht i urrej lojërat e fatit/bastet për shkak të kostove që krijojnë për familjet e “humbësve të përhershëm”.

Kam parë jo pak raste ku bastexhinjtë kanë humbur bizneset, pronat, shtëpitë deri edhe familjet e tyre. Për kritikët përse mbështes formalizimin e basteve sportive qartësoj se nëse do të isha populist do të vrapoja në çdo studio TV-ve për të kundërshtuar rihapjen e basteve sportive.

Arsyeja kryesore përse e mbështes formalizimin e basteve sportive është rritja e burimeve financiare për mbështetjen për sportin, i cili është jetik për sfidat sociale. Studimi i vitit 2023 nga UNESCO ”Fuqia e Sportit” vlerëson se për 1 lek investim në sport të ardhurat shumëfishohen nga 3 deri në 124 lekë.

Strategjia kombëtare në mbështetje të sportit që nga ekipet bazike në shkolla/komunitete deri te kampionet kombëtare, evropian dhe olimpike mbetet në letër nëse nuk mbështeten me financimet e nevojshme për arritjen e objektivave të saj.

Arsyeja e dytë për formalizimin e basteve sportive është se ky aktivitet për pesë vite ishte 100 % informal. Janë disa miliarda lekë që u mungojnë financimeve për sportin. Miliarda lekë në vend që të arkëtoheshin në buxhetin e shtetit përfundojnë në duar deri kriminale. Sipas qeverisë, ky treg është afërsisht 700 milionë euro në vit.

Buxheti ka humbur rreth 5.5 miliardë lekë çdo vit. Për periudhën 2019-2023, humbja totale është rreth 28 miliardë lekë. Kjo shifër është aq e madhe, saqë kur mbetet në duart e krimit, bëhet kërcënuese për ekonominë dhe demokracinë. Qeveria duhet të mësojë nga dështimi i aksionit “Fundi marrëzisë”.

Në çdo rast kur qeveritë synojnë të ndalojnë me ligj një aktivitet “të pandalshëm”, ato duhet të eliminojnë çdo rrezik, qoftë edhe të përkohshëm që disa miliardë lekë të bëhen burim falas për informalët dhe kriminelët. Ata do t’i përdorin këto “para dhuratë” nga mungesa e formalizimit të basteve sportive për të “formalizuar” qindra milionë euro në ekonominë informale dhe kriminale, si edhe në politikë.

Mbyllja e basteve sportive në vitin 2018 binte ndesh me parimet e politikave ekonomike dhe përvojat në vendet e tjera. Kjo, pasi mbyllja e tyre pa ofruar një opsion të ri krijoi një treg informal prej rreth 700 milionësh dollarë në vit. Bastet sportive u kthyen në një treg 100% informal. Përvojat e vendeve të tjera dhe veçanërisht rasti i prohibicionit /ndalimit të parashikuar në amendamentin e 18 të kushtetutës amerikane të pijeve alkoolike na mëson se ndalimi me ligj dështon.

Për rreth 13 vite (1920-1933), kjo veprimtari u krye kontrabandë. Duke qenë se të ardhurat nga mallrat e akcizës janë të larta, kjo nxiti luftën mes bandave mafioze për zotërimin e këtij tregu. Njëkohësisht me fitimet e mëdha abuzive/kriminale, kontrabandistët përqendruan në duart e tyre miliarda dollarë.

Ata korruptuan sherifë, kongresmenë dhe senatorë, të cilët u bënë viktima të babëzisë të tyre. Kjo është arsyeja përse ne duhet të jemi të kujdesshëm në politikat publike për të minimizuar burimet kriminale dhe presionet korruptive.

Humbjet e buxhetit të SHBA-së nga mosarkëtimi i akcizës për pijet alkoolike gjatë janarit 1920, kur ndalohej prodhimi, tregtimi, transporti dhe përdorimi i pijeve alkoolike, ishin rreth 11 miliardë dollarë, ose në vlerën e sotme, rreth 170 miliardë dollarë. Arsyeja e trete – kur flasim për legalizimin e lojërave të fatit dhe basteve sportive, duhet të kemi parasysh se është një treg i madh dhe me ritme të larta rritje. Të ardhurat globale nga lojërat e fatit, duke përfshirë bastet sportive, vlerësohen të jenë rreth 1.4 trilioni dollarë në 2023 dhe 1.6 trilionë dollarë deri në vitin 2025.

Bastet sportive përbëjnë rreth 20% të të ardhurave totale. Të ardhurat vjetore globale nga bastet sportive janë rreth 84.6 miliardë dollarë në vitin 2023 dhe rreth 167.5 miliardë në vitin 2030, me një normë rritjeje vjetore rreth 9.5%. Ka disa faktorë që nxisin rritjen e lartë të basteve sportive duke përfshirë:

(i) Pjesa më e madhe e botës po licencon aktivitetet e basteve sportive duke rritur numrin e shteteve ku lejohen bastet sportive. Kjo rrit numrin e lojtarëve/viktimave në bastet sportive;

(ii) teknologjitë e reja të shërbimeve online kanë krijuar akses global për bastet sportive. Ne tregun global të lojërave të fatit numri i pjesëmarrësve në bastet sportive arrin në disa miliardë lojtarë. Kjo shifër rritet çdo vit pasi në tregun e lojërave të fatit mund të hyjnë lojtarë nga çdo vend i botës si edhe ata që janë nën moshën e lejuar;

(iii) është rritur ndjeshëm mundësia e transmetimit të drejtpërdrejtë të ndeshjeve. Kjo vërtetohet lehtësisht nga numri i ndeshjeve që luhen çdo ditë të javës. Shikoni protestat e trajnerëve më të mirë në botë që u bëjnë thirrje lojtarëve të protestojnë kundër intensitetit shumë të lartë të ndeshjeve në një javë apo në një vit.

Numri në rritje i ndeshjeve kombëtare dhe ndërkombëtare që transmetohen drejtpërdrejtë po rritet ndjeshëm. Kjo rrit të ardhurat e kompanive të basteve, shumë prej të cilave korrespondojnë me humbjet varfëruese të lojtarëve.

Bastet krijojnë kosto të mëdha sociale e financiare në nivel individual, familjarë dhe për buxhetin e shtetit. Lojtarët që janë të varur nga bastet sportive e fshehin sëmundjen e varësisë. Ata nuk përpiqen të mjekohen për të reduktuar këtë varësi, e cila është pothuajse e njëjtë me varësinë nga drogat e fort ; (iv) Lojërat e fatit/bastet sportive janë bërë aktualisht tërheqëse edhe për femrat dhe të rinjtë dhe numri i tyre do të vazhdojë të rritet me rritje të lartë.

Pikërisht për (i) të mbështetur sa më mirë financiarisht strategjinë kombëtare të sporteve; (ii) për të reduktuar/eliminuar burimet financiare për informalët dhe kriminelët në lojërat e fatit/bastet sportive dhe (iii) për t’u përgatitur për të përballuar me rritjen e shpejtë dhe të madhe të përhapjes së basteve sportive deri në tregjet botërore, duhet të filloj legalizimi i basteve sportive dhe të sigurohet një mbikëqyrje efektive duke parandaluar edhe pastrimin e parave nëpërmjet lojërave të fatit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb