Nga: ASTRIT KOSTURI*
Edhe në këto zgjedhje të pushtetit lokal, të aftët e vërtetë janë të padukshëm. Të dukshmit janë ata, që shfaqen ditë-natë nëpër televizione si çudibërës dhe si të jenë pjesëtarë të familjeve tona, por që realisht dimë shumë pak ose nuk dimë asgjë për të vërtetat e tyre.
Këta përgjithësisht janë njerëz, që nuk turbullojnë as ujë dhe as nerva, janë tamam “babaxhanë”, dhe gjenden gjithmonë në krahun e pushtetit, si miq të padronëve të politikës, gjithmonë me fituesin e në komoditet të plotë me vetveten, duke zgjedhur karrierën e tyre si qëllim. Madje, nuk duan as të dëgjojnë për idetë e reja dhe qëndrimet e përpjekjet që bëhen për çështjet e shtruara për zgjidhje, të kësaj shoqërie të mbetur në kaosin e një bataku të sjellë prej politikës dhe demagogjisë së saj 25-vjeçare. Përgjithësisht, këta janë oportunistët, janë ata, “qejfpaprishurit e punëpabitisurit”, siç i quan populli.
Të tillët që, për fat të keq, nga një pjesë naive e shoqërisë perceptohen si njerëz të mirë (se i kanë parë në televizor), në fakt, me indiferentizmin dhe oportunizmin e tyre janë me mosndryshimin e gjendjes, janë me ruajtjen e status quo-së dhe mbretërimin e së keqes që ka pllakosur vendin, duke e bërë edhe më të zymtë jetën e shqiptarëve. Përgjithësisht, këta “njerëz të mirë”, janë vjedhës apo vjelës të frutave të regjimit të tyre, të këtij sistemi ku gjërat i kanë montuar për veten dhe për miqtë gjithashtu.
Të dukshëm, madje “grindavecë” e të zhurmshëm janë dhe disa individë, që njihen realisht nga bashkëvendësit e tyre, atje në viset ku jetojnë, duke mos u pajtuar e mos iu nënshtruar padrejtësive të shumta, që sistemi i bën shumicës popullore, duke i grabitur edhe pasuritë e vlerat monetare të tyre. Ata refuzojnë dhe kundërshtojnë të nënshtrohen apo të bëhen servilë të pushtetit, por “populli” nuk i voton dhe nuk i do. A është e vërtetë, që populli nuk i voton dhe nuk i do bijtë e vet më të mirë?
Jo, kjo nuk është e vërtetë! Këtë e thonë ata, që sistemi i ka ushqyer e majmur, vetëm për të ngritur opinione të paqena. E thonë ata, që kanë interesa abuzive prej flirtimit me pushtetin, dhe që u prishet rehatia prej njerëzve që duan drejtësi e barazi shoqërore, që e duan edhe zonën e tyre me komoditet e humanitet, njëlloj si familjen e tyre.
Në këtë shoqëri që e ka humbur orientimin politik, jo vetëm është e vështirë, por nuk ka vend më, për ata që kanë zgjedhur të bëjnë më të mirën e mundshme dhe jo karrierën e tyre si qëllim. Në këtë shoqëri të rënë në depresion të thellë, është e vështirë të kuptohesh e të përcjellësh mesazhet e një ndryshimi të domosdoshëm për shoqërinë, nëpërmjet një programi me interesa të gjera popullore, në një kohë kur kërkohet tjetër gjë: ku njerëzit parapëlqejnë më shumë partitë dhe subjektet e komanduara nga s’dihet se ku, të financuara e të mbështetura nga ndërkombëtarët, që realisht, për popullin e ndëshkuar kaq rëndë, ata mbeten të jenë vetëm të huaj. 
Sot, jeta është bërë e tillë, që sidoqoftë njeriu (i shoqërizuar apo individ), të gjendet në një kënd apo raport të tillë me shoqërinë: si protagonist e përcaktues në situata e kthesa me rëndësi historike, por, në të shumtën e rasteve, edhe si spektator i pafuqishëm apo kundrues prej atij cepi të zënë në radhët e shoqërisë, duke e parë veten si pjesë e kësaj shoqërie dhe vetëm kaq. Por, përvojat historike na mësojnë, se njeriu si qenie e ndërgjegjshme, nuk mund të qëndrojë vetëm dëshmitar e kurioz i kotë. Atij i duhet të mbajë qëndrim dhe të reflektojë ndaj të gjitha çështjeve të lëna pezull apo të shtruara për zgjidhje nga koha dhe shoqëria, duke u nisur që nga politika si ideatorja dhe projektuesja e organizimit shoqëror, deri te, bie fjala, mjedisi publik dhe fati i njerëzve të thjeshtë. Kjo është në radhë të parë, një detyrë dhe përgjegjësi qytetare e atyre të paktëve në numër që shohin përtej hundës së tyre dhe, që nuk iu mjafton komoditeti, oportuniteti e rehatia e tyre personale, por duan komoditet, prosperitet dhe një klimë dashurie e humaniteti për të gjitha shtresat e shoqërisë.
Realisht, u bënë më shumë se dy dekada, që një grusht i vogël njerëzish të ardhur në krye të vendit, me artin e tyre (që vetëm ata dinë ta zotërojnë), të të dukurit ndryshe nga ç’janë realisht, si rrugë dhe mënyrë themelore e qëllimit të tyre, si synim vetëm për sundim e pasurim marramendës.
Gjithashtu, përvoja historike na ka mësuar, se ligjet universale që veprojnë në shoqërinë njerëzore, duam apo s’duam, nuk mundet t’i zhbëjë dot askush, edhe pse nuk mungojnë përpjekjet për t’i maskuar e fshehur ato. Bie fjala, konflikti i bërë prezent tashmë, mes popullit dhe politikës çerekshekullore, nuk mund të fshihet e të injorohet, nuk mund të shtrembërohet e të keqpërdoret, qoftë edhe për hir të demagogjisë dhe teorive pacifiste, përderisa vazhdon të jetë e pazgjidhur kontradikta apo antagonizmi mes së drejtës për të jetuar dhe pasigurisë prej grabitësve të saj.
Sot gjendemi nën thonjtë e luftës së klaneve monstruoze, që marrin pushtet e zaptojnë pasuri, që investojnë edhe grupet kriminale për të ruajtur “stabilitetin”, që në fakt është luksi dhe parajsa e tyre.
U bënë 25 vjet, që mashtrimi është bazuar vetëm në propagandën dhe keqinformimin për sistemin e përmbysur, për socializmin, alibinë e neokomunizmit, për të mbuluar me tym e mjegull, gjithë shkatërrimin e pasurive intelektuale, të pasurive nëntokësore e mbitokësore, grabitjen e pasurive të shqiptarëve, si dhe mbajtjen dhe ruajtjen e sundimit të tyre feudal. Ndërsa oportunizmi intelektual, ky çelës banal, servil e lajkatar i karrierës së tyre, jo vetëm nuk do të shohë, por me heshtjen e vet bëhet ushqyes i së keqes së madhe të shqiptarëve, që sa vjen e merr përmasa biblike.
Në këto kushte të çoroditjes totale, ku shoqëria dhe njeriu e kanë humbur busullën politike, na duhet të orientohemi, të kthjellohemi politikisht së pari, dhe të bashkohemi rreth një ideje e qëllimi, me përmasa popullore, siç është beteja pa kompromis kundër padrejtësisë shoqërore. 
Pra, në të tilla situata dhe kushte, është radha e sovranit, e ka fjalën populli, klasa punëtore e mbetur e papunë, shtresat më të pambrojtura prej plagëve të këtij regjimi antihuman, i mbetet gjithë shoqërisë që të emancipohet dhe ta thotë fjalën e vet, kudo nëpër sheshet e Shqipërisë, në sheshet ku populli përherë ka nënshkruar kthesat historike. Pavarësisht nga problemet që kanë shoqatat dhe grupimet intelektuale, Lëvizja jonë gati pesëvjeçare, me emrin Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve (LDSH), kërkon publikisht bashkëpunim të sinqertë, me të vetmin kusht, për të qenë të pamposhtur përballë padrejtësisë, deri në fitoren e së drejtës legjitime për punë e dinjitet, për pensione dhe shërbime cilësore e dinjitoze!
Kjo është më se e drejtë, është një e drejtë njerëzore dhe duhet të kuptojmë, se jemi populli i vetëm në planet, që kërkojmë kaq pak, shumë pak: vetëm punë dhe bukë! Është një kërkesë shumë e vogël, kur kemi parasysh, se jemi i vetmi popull, që na kanë shkatërruar ushtrinë dhe gjithë pasurinë me vlera kolosale të saj, gjithë pasurinë e shquar intelektuale, si dhe nuk duhet të harrojmë se jemi vendi, të cilit qeveritarët e vet i kanë vjedhur thesarin!
Për shkak të “babaxhanëve” qejfpaprishur, servilëve dhe lajkatarëve të pushtetit, për shkak të asaj që vetëm intelektualët nuk e kanë bërë detyrën në këtë vend (se populli ka sakrifikuar shumë, deteve e pyjeve të botës, në këta 25 vjet), Shqipëria është në një luftë me absurdin, në një luftë pa front, në një luftë nervash… luftë me djallin, me mashtruesit dhe dyert e blinduara e të mbyllura kudo, në luftë me frikën, ankthin e makthin, me pasigurinë për të jetuar.
Edhe në luftë të vërtetë të kishim qenë, nuk do të kishim kaq shumë lajme e kronika të zeza, kaq shumë të vrarë e viktima, kaq shumë shkatërrim e dëme kolosale.
Shqiptarët vriten si zogj rrugëve të atdheut të tyre, vriten nga kaosi e stresi, nga harresa e nëpërkëmbja, nga rendja e pakuptimtë si në një xhungël të sajuar me ngut e nxitim. Të tjerë shqiptarë trajtohen si skllevër kudo nëpër botë, nga politika servile që hesht kaq në mënyrë acaruese, si të mos kishte për këta njerëz të varfër e në mjerim, as Ministri të Jashtme dhe as ambasada shqiptare, por njerëz që majmen me gjakun dhe vuajtjet ekstreme të tyre.
Është rreshtimi njëshkolonë me “pushtuesin”, i “intelektualëve” që ka sot politika, i shkencëtarëve dhe lista e pafund e profesorëve në Shqipëri, që mashtruesi bëhet me krah dhe i hapet syri, që intelektualët oportunistë fërkojnë barkun dhe shijojnë komoditetin e tyre, që grabitësit, plaçkitësit e vrasësit gradohen, që të fortët e të ligjtë, ata të hurit e të litarit bëhen kryetarë pa krye dhe deputetë. Dhe kjo garë vazhdon nga të dyja kampet dhe satelitët e tyre. 
Sot është bërë e lehtë të gënjesh! Madje, edhe turmat ngazëllehen dhe fluturojnë prej gënjeshtrash, kur ujqërit pa dallim krahu bashkohen për duelin e radhës me ujqërit e bërë kope në palën tjetër, që pasi vendosin rregullat e tyre dhe vetëm për klanin e tyre, shfaqen si mbrojtësit, që vuajnë ditë e natë për këtë popull. Gënjeshtrat po i kënaqin njerëzit, prandaj dhe politika, rreket të gjejë slogane e gënjeshtra, simbole të sheqerosura dhe gjumëdhënëse, si shpresë dhe ëndrra pa fund…
Ne që mendojmë ndryshe, nuk lodhemi për këtë, por duam t’u themi të vërtetën: Themi, se duhet të futemi në binarët e një politike të vërtetë, të politikës që është shkencë në teori dhe në praktikë. Ky është premtimi ynë, kjo duhet bërë me emergjencë dhe atdhetari, që të shpëtojmë njëherë e mirë prej kësaj rruge pa fund e pa krye dhe jo me premtime boshe, sa për të ardhur në pushtet e për të plotësuar orekset e një kaste miliardere.  Prandaj, shtresat e paprivilegjuara në radhë të parë, duhet të marrin mesazhe të qarta dhe të kuptojnë, se kanë nevojë për një pushtet që buron prej tyre dhe t’u shërbejë atyre, por edhe rinia sidomos, duhet të arrijë të kuptojë se, kështu e lënë në instinktet e moshës dhe dëshirat trupore, nuk mund të jetë premtuese për të ardhmen e këtij kombi. Vërtetë asaj nuk i mungojnë ëndrrat dhe projektet, as dëshirat për të qenë qendra e vëmendjes dhe e botës, por kjo nuk mjafton, përderisa u mungon edukata e punës, qëllimet dhe qartësia e mendimit dhe e veprimit. Nuk mund të jetë premtues brezi i ri, pa qenë koshientë për energjinë, që posedon e zotëron. Të rinjtë dhe të rejat nuk kanë përse të jenë në festën e ‘pub’-eve, kur duhet të ndihen të indinjuar fort, përderisa prindërit e tyre prej viteve ‘90, kanë mbetur të tallur, të ndëshkuar e të dhunuar sistematikisht, duke jetuar në stres, në ankth e makth. Ata duhet të indinjohen fort, edhe për veten e tyre, pasi të kenë kuptuar mirë, se jeta dhe perspektiva u është bërë një piramidë e pastër dhe pa të ardhme fare.
Rinia ka nevojë të thellohet dhe të kuptojë, se prindërit e tyre kanë punuar e sakrifikuar shumë, se Shqipëria nuk është kjo që duket në televizione e internet, por kemi një Shqipëri për të cilën kanë sakrifikuar breza të tërë burrash, se për këtë Shqipëri është bërë një punë e madhe e pabesueshme dhe është krijuar një pasuri marramendëse, që u shkatërrua, u plaçkit e grabit, për interesa të klaneve dhe oborreve të politikës.
Të ishte vetëm oportunizmi i një intelektuali të vetëm, do ishte hiç asgjë, por kur ky sehir është masiv, përbën katastrofën e jetës sonë.
Pikërisht në një situatë të tillë, që është festë dhe kohë e artë për të paudhët, për të ligjtë dhe miqtë e tyre politikanë, fatet e vendit i merr në dorë populli, i bashkuar rreth një ideje dhe një qëllimi të përbashkët, siç është beteja me padrejtësinë!
* Kryetar i Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: