PRISHTINE- Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur të gabuar bojkotin e opozitës në seancën e sotme të Kuvendit. Sa i përket faktit nëse ka hequr dorë nga votimi i rezolutës së opozitës, Haradinaj ka thënë se “tashmë e kanë të vështirë të vlerësojnë se si do të veprojnë”.

Këto komente i bëri pas takimit që kishte me delegatin apostolik për Kosovën, Mosinjor Juliusz Janusz.

Ndërkohë që opozita nuk ishte pjesë e debatit për votimin e delegacionit qeveritar që do të jetë pjesë e dialogut me Serbinë, kryeministri Haradinaj e ka quajtur të gabuar bojkotin e tyre, pasi roli i partive opozitare do të ishte i rëndësishëm në debatin mbi dialogun me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel.

“E kemi vështirë të vlerësojmë si do të veprojmë. Ishte gabim mosardhja e opozitës në seancë paraprake. Votimi i një delegacioni të qeverisë ku ishte i paraparë edhe roli i opozitës do ta hapte një dialog pastaj që edhe pozita ta ketë mendimin e vet për rezolutën. Mos ardhja në seancë na ka vendosur në një pozitë të pafavorshme”, ka thënë ai.

Haradinaj ka bërë të ditur se nuk është propozuar platformë lidhur me bisedimet me palën serbe për një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve, por vetëm një delegacion.

“Ju kujtohet, kohë më përpara Kuvendit i kam propozuar platformën, por atëherë nuk kishte mirëkuptim. Tash i kam propozuar delegacionin. Të shohim tash a do të ketë mirëkuptim. Kur më herët i kemi propozuar Kuvendit platformë ka për qëllim për të ndihmuar Kosovën në procesin e dialogut”, u shpreh Haradinaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb