Nga MENTOR KIKIA
Rezultati i zgjedhjeve, përjashtuar ndonjë mutacion si Përmeti, Pogradeci apo Malësia
e Madhe, ishte i pritshëm. Pa dyshim që do të marr kohë analizimi i kësaj situate, për të parë edhe se sa ishte kontributi i PS-së dhe sa i LSI-së në këtë trofe të përbashkët politik. Por do të doja të ndalesha në pozicionin e Partisë Demokratike në këtë proces. Lulzim Basha, dy vjet pasi mori drejtimin e partisë, nisi një fushatë 100% politike për zgjedhjet vendore. Ai iu përvesh punës si të ishte në zgjedhjet e përgjithshme, ndërsa duhej të prezantonte apo lobonte për kandidatët për kryetar të bashkive. Basha iu përvesh qeverisë me akuzat më të forta për korrupsion, për keqqeverisje, për dështime dhe premtime të pambajtura dhe çdo gjë tjetër që njihet tashmë në koleksionin e armëve të luftës politike. Dhe duhet pranuar se Basha e përmirësoi goxha performancën e tij me drejtimin e kësaj fushate.

Pa dyshim që Basha kishte të drejtë në shumicën e atyre që i adresoi qeverisë, por problemi ishte se si ta bënte popullin që të besonte e të votonte kundër Ramës dhe kandidatëve të ASHE-së. Fakti është se nuk ia doli dhe mendoj se ka disa arsye se përse. Para së gjithash, kryetari i PD-së i hyri një fushate, dhe bëri një fushatë të mirë, si të ishte kryetar i një partie që vinte nga një stanjacion opozitar i gjatë dhe po sulmonte një qeverisje të stazhionuar të cilën populli mezi ç’priste ta hiqte qafe. Në fakt, Basha është kryetar i një partie që ka vetëm dy vjet që ka humbur pushtetin dhe e humbi atë shumë keq, me një votë masive kundër. Basha duket se ka menduar se ai tashmë është shpëtimi i shqiptarëve. Ai ka menduar se i keqi është gjithmonë në qeveri dhe i miri në opozitë, e për këtë arsye i miri duhet t’i zërë vendin të keqit. Nëse është apo jo Rama e keqja e këtij vendi, kjo është një temë që ha diskutim, por ajo që mund të themi me siguri është se Partia Demokratike nuk është e mira. Kjo sepse shqiptarët nuk kanë harruar se vetëm para dy vjetësh e larguan atë parti nga pushteti, si partia që ngriti qeverisjen më të korruptuar në 24 vitet e fundit. Largoi stafin drejtues më të babëzitur dhe që kishte ndarë në copa Shqipërinë duke e shitur apo shfrytëzuar secili sipas tahmasë dhe oreksit që kishte. Kjo PD është ende po ajo që ishte. Sali Berisha është po ai e po aty, me gjithë ndikimin e tij në vendimmarrjen e asaj partie. Ministrat e djeshëm që i punuan qindin vendit dhe popullit janë po aty, në parlament dhe forume drejtuese të partisë. Një nga këta është edhe Basha vetë. Kësisoj, ndërsa i dëgjoje tërë ato akuza e tërë ato premtime nga goja e Bashës dhe bashkëpunëtorëve të tij, realisht mund të pyesje: Po kush është ky dhe kush janë këta që na i thonë këto gjëra? A nuk ishin këta të gjithë që i bënë një mijë herë më zi, jo shumë larg por deri para 19 muajsh?

Është e vërtetë se ka shumë shqiptarë që janë zhgënjyer nga qeveria “Rama-Meta”. Ka po kaq shumë që mendojnë se qeveria nuk po punon mirë dhe korrupsioni është një problem i madh. Por besoj se të gjithë këta njerëz nuk mendojnë se zgjidhja është PD-ja aktuale e Bashës, e cila është po ajo e djeshmja e Berishës. Në zgjedhje, ashtu siç pati kandidatë pazaresh, PD pati edhe kandidatë të mirë, por që u rrëzuan duke marrë mbi vetë edhe një pjesë të kostos së partisë.

Basha duhet ta kuptojë mirë njëherë e përgjithmonë se ka marrë drejtimin e një makine të shkatërruar që i bien hekurat rrugës duke ecur, së cilës vështirë t’i hipin pasagjerë të rinj. Gjithsesi, këto zgjedhje ishin një test i mirë që PD, ose lidershipi i saj, të kuptojë ku është realisht dhe se ajo nuk mund të vijë në pushtet kështu siç është. Para se të synojë pushtetin, Basha duhet ta rindërtojë atë parti, jo të mendojë si ta kontrollojë e privatizojë përmes emërimit të funksionarëve, por ta shndërrojë në një forcë që të mendojë të vijë në pushtet duke ofruar alternativa më të mira. Nëse Basha mendon se do të vijë në pushtet duke numëruar mëkatet e Ramës, do t’i duhet gjatë të presë, pasi shqiptarët janë ende duke numëruar e vuajtur gabimet e partisë së Bashës.

PD-ja e kishte të domosdoshme një mandat në opozitë, i cili duhej të shërbente, në fakt, si një kohë remonti kapital për këtë makineri politike, dhe jo si kohë për t’u furnizuar me karburant dhe të vazhdonte rrugën, ashtu me goma të shpuara. Nëse do të ecë me logjikën se shqiptarët do ta votojnë PD-në dhe Bashën sepse Rama është më i keq (bazuar kjo në logjikën tonë që mes dy të këqijave zgjedhim më të voglën), sërish Basha duhet të kuptojë se Rama nuk është bërë ende e keqja më e madhe, ndërsa PD-ja nuk është bërë ende e keqja më e vogël.

Basha, gjithashtu duhet të kuptojë se PD-ja nuk është shkalla që do ta çojë atë në pushtet. PD-ja është një aset i çmuar i shoqërisë, është roja që qeveria të mos vjedhë e shpërdorojë vendin, ndaj dhe ai nuk ka asnjë lloj mandati për ta privatizuar atë e ta shndërrojë në një OJQ.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb