TEHERAN– Kryeministri hungarez, Viktor Orban mbërriti sot për një vizitë zyrtare në Teheran, e para e një shefi qeverie pas 27 vitesh.

Ai shoqërohet nga 120 përfaqësues të biznesit hungarez pasi Budapesti kërkon me ngulm të zhvillojë marrëdhëniet tregtare me Republikën Islamike pas arritjes së një marrëveshjeje historike në fushën e energjisë bërthamore mes Fuqive të Mëdha dhe Iranit.

Në korrik, Irani nënshkroi një marrëveshje bërthamore me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe Kinën, që kërkon që Teherani të reduktojë aktivitetet e tij bërthamore në shkëmbim të heqjes së sanksioneve.

Agjencia zyrtare iraniane e lajmeve, IRNA tha se gjatë vizitës dyditore të Orbanit pritet të nënshkruhen tetë marrëveshje.

Ai do të takohet me presidentin iranian, Hassan Rowhani për të diskutuar edhe çështjen siriane.

Irani është mbështetës i regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: