Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka uruar 2 Korrikun, me ç’rast ka thënë se Deklarata Kushtetuese e vitit 1990, e shpallur nga 114 delegatët e Kuvendit të Kosovës shënoi kthesë historike për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Osmani është shprehur se deklarata hapi rrugën për përmbushjen e ëndrrës shekullore për Republikën e Kosovës.

“Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, e shpallur nga 114 delegatët e Kuvendit të Kosovës hapi rrugën për përmbushjen e ëndrrës shekullore për Kosovën Republikë. Akti i tyre dëshmoi se rruga e bërjes së shtetit kërkon përkushtim, sakrificë dhe guxim”, është shprehur Osmani.

Sipas saj, 2 Korriku mbetet një nga datat më të rëndësishme për vendin tonë.

“Delegatët e asaj kohe i gërshetuan këto të tria, duke vërë gurin themeltar të shtetit të Kosovës, i cili u vulos më 17 shkurt 2008. Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut është ngjarje emblematike, e cila shënoi kthesën tonë historike për liri dhe pavarësi. 2 Korriku mbetet një nga datat më të rëndësishme për shtetin tonë, ngase themelet e tij qëndrojnë mbi vendimin e delegatëve të asaj kohe”, ka përfunduar ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb