Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar akademikun Fehmi Agani në përvjetorin e rënies së tij, duke theksuar rolin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në lëvizjen paqësore për liri.
Ajo e përshkroi Aganin si një personalitet që qëndroi i palëkundur në besimin e tij tek vlerat njerëzore, edhe në periudhën më të errët, kur komuniteti ndërkombëtar zgjodhi të qëndrojë në heshtje përballë mizorive të kryera nga regjimi serb.
“Sot, në përvjetorin e vrasjes së akademik Fehmi Aganit, përkujtojmë me nderim një prej mendjeve më të ndritura të rezistencës sonë paqësore. Ai besoi te fuqia e vlerave njerëzore edhe në kohën kur bota heshti përballë krimeve të Serbisë në Kosovë. E vrau pikërisht ajo makineri gjenocidale serbe e cila frikësohej nga mençuria e tij që ngjallte shpresë”, ka thënë Osmani.
Në mesazhin e saj, Osmani theksoi gjithashtu se trashëgimia shpirtërore dhe idealeve për të cilat Agani punoi, mbeten një udhëzim për të gjithë ata që e konsiderojnë lirinë dhe dinjitetin si vlera të patjetërsueshme.
“Kujtimi dhe vizioni i tij mbetet udhërrëfyes për brezat që besojnë se liria dhe dinjiteti mbrohen me çdo kusht. Lavdi jetës dhe veprës së Fehmi Aganit,” përfundoi Osmani.