Pakistani ka zbuluar rastin e parë të lisë së majmunëve në një individ i cili ka ardhur nga jashtë, konfirmoi një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas zyrtarit, personi, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, mbërriti në Pakistan më 17 prill pasi u dëbua nga Arabia Saudite dhe po shfaqte simptoma të virusit të lisë së majmunëve.

“Rasti i parë i lisë së majmunit u zbulua në Pakistan të hënën”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Sajid Shah.

Shah tha se gjurmimi i kontakteve ishte nisur dhe aeroportet ishin vënë në gatishmëri të lartë në të gjithë vendin, ndërsa ministria e shëndetësisë kishte urdhëruar të gjitha masat e nevojshme për t’u zbatuar në aeroporte.

“Zbatimi i rekomandimeve të rregulloreve shëndetësore në aeroportet e vendit është duke vazhduar”, tha zëdhënësi.

Lija e majmunëve është një sëmundje virale e shkaktuar nga virusi i lisë së majmunit me simptoma të tilla si skuqje të lëkurës, lezione të mukozës, ethe, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, dhimbje shpine, energji të ulët dhe ënjtje të nyjeve limfatike.

Monekypox ose Mpox mund të transmetohet te njerëzit përmes kontaktit fizik me një person ose kafshë të infektuar, ose edhe duke prekur një sipërfaqe ose send të kontaminuar.

Që nga janari 2022, raste të lisë së majmunëve janë raportuar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) nga 110 shtete anëtare.

Deri më tani, gjithsej 87,113 raste të konfirmuara laboratorike dhe 130 vdekje janë raportuar në OBSH, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në provincën Sindh të Pakistanit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb