TIRANE- Të tjera detaje mësohen për shpërthimin e fuqishëm që ndodhi pak minuta më parë pranë Drejtorisë së higjienës në Tiranë, ku mbeti i plagosur një djalë të ri, punonjës në dyqan.
Gazetarja Dorjana Bezat ka mundur të mbledhë për “BalkanWeb” dëshmitë e para nga vendngjarja. Po ashtu ajo ka sjellë edhe pamjet e rënda ku shfaqet i dëmtuari Gentian Hoxha 26-vjeç, i cili siç edhe dëshmitarët thonë ka humbur gishtat e duarve nga shpërthimi. I riu është mbuluar me tym, ndërsa duart i ka të gjakosura.
“I dëmtuari kishte humbur gishtat e duarve. Ndihmën e parë ia dhanë 2 persona që e panë rastësisht shpërthimin. E nxorën menjëherë jashtë se brenda pati shumë tym. I plagosuri ishte nxirë i gjithi nga pluhuri. Shpërthimi ishte shumë i fuqishëm, u trondit gjithë vendi”,- ka thënë dëshmitari, siç mëson “BalkanWeb”
Mësohet gjthashtiu se shpërthimi ka ndodhur në momentin që shitësi është ulur në tavolinën e punës.
Policia tha se nuk bëhet fjalë për lëndë eksplozive tritol, por pritet të sqarohet se çfarë e ka shkaktuar këtë shpërthim të fuqishëm.
I plagosuri është transportuar për në Spitalin e Traumës ku mësohet se gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar.
(m.a/BalkanWeb)