Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, garanton se brenda pak ditësh do të rinisë lëvizja e bagëtive nga fermat drejt thertoreve, dhe në një kohë të shkurtër dyqanet e mishit do të ofrojnë shërbim të plotë për qytetarët.

Nga Hamili i Fierit, ku inspektoi një fermë teksa kryhej procesi i vaksinimit, Panariti tha se jugu i vendit nuk ka asnjë vatër të sëmundjes së gjedhit, ndaj në jug do të rinisë më shpejt tregtimi i mishit të gjedhit.

Për pak ditë do të rinisë në jug lëvizja e bagëtive drejt thertoreve, derisa gradualisht të hiqet i gjithë moratoriumi.
Ka qenë vetë Ministri i Bujqësisë që konfirmoi se pas nisjes së procesit të vaksinimit, sëmundja e gjedhit po vihet nën kontroll.

“Ne kemi shpëtuar 200 mijë krerë që rrezikoheshin nga kjo sëmundje që do ti nxirrte totalisht jashtë prodhimit dhe besoj mund ta përllogarisni vetë dhe dëmin e madh financiar që do ti shkaktonim ekonomive individuale por edhe ekonomisë kombëtare, që llogaritet rreth 300 milion euro”, tha ministri Panariti.
Sipas tij, në rast se ne nuk do të kishim bllokuar infeksionin nëpërmjet një kordoni preventiv në Shqipërinë veriore e atë qendrore, infeksioni do të zbriste në jug, do zbriste në Lushnje, në Fier, Vlorë, Sarandë, etj.

Aktualisht në Fier vijon procesi i vaksinimit në 4200 krerë gjedhë dhe vaksinimi kryhet në njësitë administrative Libofshë, Dermenas, Levan dhe Cakran.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb