KOSOVA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në një takim ambasadorin e Shqipërisë, Qemal Minxhozi ku kanë folur për vaksinat.

Osmani e ka falënderuar ambasadorin për bashkëpunimin e shtetit shqiptar, teksa deklaron se në Kosovë prioritet është sigurimi ivaksinave.

Ndërkohë z.Minxhozi i ka garantuar Osmanit se Shqipëria do të vijojë të ndihmojë Kosovën në të ardhmen.

 

NJOFTIMI NGA PRESIDENCA E KOSOVËS

Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani-Sadriu priti sot ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi.

Presidentja Osmani e njoftoi ambasadorin Minxhozi me zhvillimet politike në vend, veçanërisht me përpjekjet që Republika e Kosovës po i bën për vaksinimin sa më të shpejtë të qytetarëve të vendit. Duke e falënderuar shtetin shqiptar për bashkëpunimin, dr. Osmani nënvizoi se sigurimi i vaksinave për qytetarët e vendit është prioritet themelor i institucioneve të republikës.

 

“Në kohën e thellimit të krizës globale me pandeminë Covid–19, ne jemi të përkushtuar maksimalisht që të sigurojmë vaksina për qytetarët tanë. Ky është prioritet mbi prioritetet për ne. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe sigurimi i jetës së tyre është përkushtimi ynë i çdoditshëm”, tha presidentja Osmani.

 

Më tej, Presidentja Osmani dhe ambasadori Minxhozi diskutuan për mundësinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë qarkullimin e lirë dhe thellimin e raporteve kulturore, ekonomike dhe politike.

 

Ambasadori Minxhozi, pasi i uroi znj. Osmani zgjedhjen si Presidente e Republikës së Kosovës, e siguroi atë se shteti shqiptar do ta vazhdojë përkrahjen e mëtejme për Kosovën.

 

“Ne duhet të krijojmë politika të cilat e lehtësojnë edhe më tej bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor ndërmjet të dyja vendeve”, tha z. Minxhozi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb