Tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit la pas jo vetëm pasoja të rënda në njerëz e ndërtesa, por preku emocionalisht e psikologjikisht mbarë shqiptarët. Për të këshilluar të gjithë qytetarët, se si duhet të mposhtin këto trauma, në studion e “News24” ishte këtë paradite psiko-traumatologia Besarta Taçi.

Ajo tha se në plan të parë, pas tërmetit të 26 nëntorit, janë vënë fëmijët, ndërsa në një fazë të dytë do të jenë të gjithë individët që kanë pasur humbje në familjet e tyre, tek të cilët do të ndërhyhet me terapi specifike.

“Jemi vendosur të kemi në plan të parë fëmijët, në një fazë të dytë do jenë individët që kanë pasur humbje në familje, që po përjetojnë aktualisht zinë. Ata kanë përparësi në ndërhyrjet e psiko-traumatologëve, me terapi specifike, që është terapia me MDR”, tha Taçi.

Keni pasur raste të njerëzve që kanë humbur të dashurit e tyre?
Akoma jo. Duhet të shkojmë me majat e gishtave në këtë direksion. Janë individë që janë prekur nga tërmeti dhe po përjetojnë pluri-trauma, sepse janë prekur emocionalisht nga tërmeti, kanë pësuar edhe humbjen në njerëz, edhe humbjen e shtëpisë, ndaj dhe situata është specifike dhe kërkon edhe bashkëpunimin e një neuro-psikiatri për mbajtjen në gjendje sigurie të individit.

Ndërhyrja në këta njerëz do të jetë specifike, me një terapi shumë specifike, që është terapia që bëhet me elaborimin e lëvizje okulare, e cilësuar nga OBSH si terapia numër një për sa i përket elaborimit të traumave. Ne mundemi të rikujtojmë tërmetin, por jo sa herë e kujtojmë të kemi simptoma të forta. Sot e tutje kemi nevojë të çohemi në këmbë e të përjetojmë dal nga dalë aktivitetin e përditshmërisë.

Sa hezitim kanë shqiptarët për të kërkuar ndihmën e psikologëve?
Figura e psikologut ka filluar të njihet kohët e fundit te ne. Pas tërmetit, shqiptarët mendojnë se do fillojnë të jenë më të vetëdijshëm që është e nevojshme të kërkohet ndihmë te një specialist.

Çfarë fryme është tani, sa shqetësuese është?
Ajo që perceptova ditën e djeshme, kur sapo kishte kaluar momenti fillestar, ajo që dëgjova më shpesh është “sot e tutje çfarë do të ndodh me mua”. Pra, unë jam i pafuqishëm të mbroj familjen time. Është më shumë një frikë sa i përket edhe personave që kanë humbur shtëpitë e tyre, se ku do të shkojnë. Kjo është frika që po përjetohet në këtë fazë. Ok, të gjithë po më ndihmojnë në këtë fazë, po nesër a do të jenë sërish këtu për të më ndihmuar. Kjo pra është frika më e madhe, se sa frika për një tjetër tërmet.

Kur përjetojmë situata traumatike, gjendja jonë emocionale është e bllokuar. Nëse unë përjetoj një traumë, nuk jam në gjendje të logjikoj, mbetem në grackën e emocionit. Ja pse ndërhyrja e një specialisti, një terapie që zhbllokon momentin emocional, ndihmon në këtë fazë. Ne jemi një popullatë, që ka pësuar disa trauma në dekada. Traumat trashëgohen edhe përmes ADN-së. Ne jemi një popull që ka ndjerë lëkundje në jetën e tij.

Po fëmijët këtu në ç’raport janë?
Nëse ne presim që fëmijët të na thonë “mami kam frikë”, kemi dështuar. Syri i një prindi është shumë i kujdesshëm dhe e ka të qartë si ushqehet fëmija, si fle. Nëse fëmija flinte vetëm dhe tani nuk fle dot, nëse ai e kontrollonte aspektin e urinimit dhe jashtëqitjes dhe tani urinon natën, nëse zgjohet shpesh dhe bën ëndrra të këqija, nëse refuzon ushqimin apo thotë se ka dhimbje barku, këto janë të gjithë mënyra komunikimi dhe fëmija po komunikon përmes trupit.

Duhet sqaruar deri në fund fëmija se çfarë ndodhi dhe këto post-goditjet?
Është e rëndësishme mënyra si ja komunikojmë fëmijës, si ja shpjegojmë. Nuk mund të mos flasim për ngjarjen që ka ndodhur, nuk mund të bëjmë sikur kjo gjë nuk na prek. Nuk mund t’i gënjejmë ata dhe t’iu themi që nuk do të ndodhë kurrë më, pasi ata nuk do na besojnë më. Kështu që ne duhet t’ua shpjegojmë në një formë përralle, kur janë te 3 vjeç. Dhe më e rëndësishme është që prindi t’i thotë fëmijës se do jetë gjithmonë aty.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb