Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shprehet kundër ndryshimeve kushtetuese që po tenton të miratojë maxhoranca në Kuvend.

Në një intervistë për gazetën Panorama”, zoti Topi i cilëson ndryshimet si papërgjegjshmëri, me qëllim forcimin e pushtetit personal të Kryeministrit Rama. Jo pa shqetësim, ish-Presidenti i Republikës shprehet se pluralizmi për të cilin shqiptarët luftuan 30 vjet më parë po merr sërish fizionomi moniste, ku një forcë politike vendos për çdo gjë.

Zoti President, 12 vjet pas ndryshimeve të befta të Kushtetutës nga PD e PS, që forcuan rolin e kryetarit të partisë në përzgjedhjen e deputetëve, por edhe dobësuan institucionin e Presidentit e ndarjen e pushteteve, sot kemi lëvizje të shpejta të javëve të fundit për hapje të listave. Mendoni se kjo lëvizje, e “iniciuar” nga deputetët e opozitës parlamentare dhe e mbështetur me shumë dashamirësi nga maxhoranca, tenton të korrigjojë atë gabim të 2008-ës?

Kurrsesi. I vetmi element i ngjashmërisë me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 është papërgjegjshmëria për ta ndryshuar dokumentin themeltar të shtetit sa herë duhet të përforcojnë pushtetin e diskretituar personal. 21 prilli 2008 solli dëme të mëdha dhe të pakompensueshme, duke u dhënë fuqi ekstreme maxhorancave politike për të dominuar institucionet e pavarura dhe kryesisht kundër Presidentit si institucion, apo për të ngushtuar demokracinë në partitë politike. Në një vend si ky i yni, ku Kushtetuta preket me lehtësi dhe për interesa meskine dhe ku mungojnë institucione që burojnë nga Kushtetuta, loja ka mbaruar. Shqipëria nën udhëheqjen socialiste dhe personale të Kryeministrit ka hyrë në një cikël vicioz krizash kushtetuese dhe ligjore, që nuk japin kurrfarë shprese që gjërat do marrin për mirë. Lehtësia me të cilën futën duart në themelin e shtetit tregon së pari, mungesë stofi të pushtetarëve; e dyta, qëllime të vogla para interesave të mëdha të vendit dhe së fundmi, se qëllimi është mbajtja e kolltukut para integrimit në BE. Së fundmi, për pyetjen tuaj të parë, duhet hequr dorë nga iluzioni se Kryeministri do shfaqë ndjeshmëri dhe reflektim për ato që po bën, përkundrazi, ai ka dhënë të kuptojë qartë se qëllimi i tij është në çdo rast realizimi i programit minimum, që është fitorja e radhës edhe kur dëmtohet programi në maximum i integrimit europian. Përderisa çdo përpjekje për referendum popullor rrëzohet nga komisionet e partisë-shtet, ky vend do vazhdojë të rrëshqasë.kuvendi

Një tjetër propozim i opozitës parlamentare që po mbështetet nga maxhoranca, është edhe garimi i vetëm i çdo force politike në zgjedhje, pa hyrë në koalicion parazgjedhor. A shkon ky propozim në kundërshtim me pluripartizmin dhe e çon vendin në një sistem dypartiak?

Ky është problem tjetër. Sistemi politik në Shqipëri është pluripartiak dhe askush nuk mund ta definojë si bipolarizëm. Këtu bipolarizmi tentohet të arrihet në mënyrë të sforcuar dhe artificiale, duke imponuar bashkime të çuditshme që kanë papajtueshmëri qëllimesh politike dhe programesh. Bipolarizmi në Shqipëri ka nxitur dhe kultivuar bashkime të çuditshme për hir të hyrjes në Parlament. Këtu problemi është ndryshe, pasi opozita i la gjithçka në dorë Ramës dhe pikërisht fushën ku ai ndihet i qetë, mosmbajtja e fjalës së dhënë. Luhatja nga pozicionet e deklaruara publikisht nuk është gjë e re, e cila kërkon rritjen e presionit politik dhe publik për sjelljen pa asnjë lloj garancie nga ata që drejtojnë vendin. Mua personalisht më tregon se këta do të bëjnë gjithçka për të konservuar pushtetin. Pjesa tjetër është demagogji dhe mashtrim i pandërprerë.

Duke i shtuar kësaj edhe propozimin e tretë të deputetëve opozitarë, atë të rritjes së pragut elektoral nga 3% në 5%, edhe pse dje ata në çoroditje të plotë propozuan se pragu mund të jetë edhe 2%. Sa e dëmton demokracinë kjo dhe ku jemi në raport me demokracinë 30 vjet pas ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri?

Për fat të keq, edhe në kushtet e anormalitetit politik dhe institucional, shikojmë të shtohet konfuzioni midis atyre që kanë votat për të bërë këto ndryshime. Nga njëra anë ka një marrëveshje politike jashtë Parlamentit me të ashtuquajturin Këshill Politik dhe një marrëveshje brenda Parlamentit, totalisht të ndryshme nga njëra-tjetra. Rama po synon të miratojë çka do vetë, duke përdorur alibinë e nevojës së votave në Kuvend. Çoroditja atje vjen për disa arsye. Së pari, brenda deputetëve të opozitës ka disa rryma. Së dyti, eksperienca politike dhe sa i përket Reformës Zgjedhore lë për të dëshiruar. Së treti, maxhoranca kërkon të krijojë vetë konfuzion midis tyre. Në këto kushte shohim një panoramë të çuditshme të paparë në 30 vite pluralizëm, ku ky i fundit po merr sërish fizionomi moniste dhe ku çdo gjë po shkon në një vendimmarrje.

Çfarë rreziqesh, por dhe të mirash mund t’i vijnë vendit nëse për shkak të procesit të integrimit, siç edhe e argumentojnë, PD e PS të qeverisin bashkë pas zgjedhjeve të ardhshme?

Kjo pyetje shkon përtej çdo imagjinate në Shqipëri. Kjo mund të ndodhë vetëm në një rast, kur zgjedhjet e ardhshme nuk do prodhojnë dot një qeveri dhe vendi mund të qeverisej së bashku. Në tri raste ka rezultuar e pasuksesshme: në 1991, 1997 dhe në 2017. Ne nuk jemi në Gjermani që ky model funksionon. Rreziqet e shpërdorimit të pushtetit dhe shthurja në administratë do të ishin frytet e para të hidhura. Qëndrueshmëria e qeverisjes përcaktohet në këto momente me reformimin e sistemit. Bashkëqeverisja me një marrëdhënie mosbesimi ndaj njëri-tjetrit do të ishte skenari më i papranueshëm sipas meje. Kjo do të vërtetonte dhe dyshime të tjera që lidhen me origjinën e pluralizmit në Shqipëri, skenaristët, regjisorët dhe aktorët e kësaj shfaqjeje, që nuk prodhon më asnjë emocion.

Si e shikoni klimën politike parazgjedhore, kur opozita dhe maxhoranca ranë dakord me ndërmjetësimin e fortë të ndërkombëtarëve për Kodin Zgjedhor, por duket se janë shumë larg sa u takon ndryshimeve të mundshme kushtetuese. Mendoni se këto qëndrime do çojnë në një fushatë të nxehtë zgjedhore, që do të ndikojë edhe në cilësinë e zgjedhjeve?

Ne sot mund të diskutojmë se si duket klima pas marrëveshjes politike, pasi ende jemi larg klimës parazgjedhore. Reflektimi i parë vjen jo si një çudi, por si një ritual mashtrimi i radhës nga pala e qeverisë. Në fakt, ky Këshill Politik u përdor si artificë për të rifutur opozitën në sistem, si pasojë e një gabimi të pafalshëm të braktisjes së Parlamentit. Ky Këshill, në esencë i ktheu qetësinë Kryeministrit, i cili kurrsesi nuk mund të shkonte në zgjedhje sërish i vetëm. Kaq iu desh për të devijuar djallëzisht me teknikalitete, që ai i bën vetëm në interesin e tij. Në këto kushte, klima politike nuk mund të jetë e qetë. Politika shqiptare është e axhituar edhe kur ekziston një lloj qetësie. Përfytyroni që po ndodh një proces shumë i koklavitur. Diku tjetër bisedohet politikisht, diku tjetër votohet juridikisht. Këto çudira ndodhin vetëm në Shqipëri. Kjo i jep mundësinë Kryeministrit të luajë me dy porta. Kur duhet shënon gol te Këshilli Politik. Kur i duhet të përdorë Parlamentin, e shënon golin atje. Këtu nuk është pa faj opozita zyrtare, që futet në bisedime pa marrë paraprakisht bazën e marrëveshjes. Në raport me marrëdhënien me Edi Ramën, ajo është mashtruar lehtësisht dhe ka vazhduar ta besojë. Kur në këtë marrëdhënie arrihet të mashtrohen dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, sinjali i kuq për demokracinë në Shqipëri ka sosur duke nënkuptuar probleme që mund të cenojnë jo vetëm marrëdhëniet politike, por edhe rendin kushtetues. Këto situata të rënda politike nuk mund të zgjidhen me konferenca për median, të cilat e largojnë zgjidhjen dhe e mbulojnë dështimin me tymnajë mashtrimi, ku më i mashtruari është publiku./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb