I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, ishte analisti Genci Burimi. Ai foli për krizën e re energjetike në botë, gjë të cilën e paralajmëroi nëpërmjet një konference shtypi kryeministri Edi Rama. Për Burimin, Shqipëria nuk duhet të jetë në një krizë energjetike, duke qenë se ka burime ujore dhe gazi të mjaftueshme.

Ai tha më tej, se nëse me të vërtetë Shqipëria ndodhet në një situatë krize, qeveria të heqë dorë nga taksat, në mënyrë që qytetarët të paguajnë më pak ose po aq sa paguajnë edhe tani.

“Rama po përpiqet të kopjojë kolegët europianë, por në vetvete nuk tha asgjë. Ai parashikoi rritjen e çmimeve, 15 mln britanikë do të vuajnë shumë nga kjo gjë. Dha shembullin e Bullgarisë. Në fund fare huazoi një diskurs, ku thoshte që pas krizës së COVID-it kriza e energjisë dhe nuk tha asgjë konkrete, kjo më habiti. Ai bëri një fjalim patetik. Nëse shqiptarët e kanë zgjedhur si kryeministër ai duhet të gjej zgjidhje. Janë masa ekuivalente që po merren sot në botë dhe Evropë dhe që lidhen pikërisht me uljen e kësaj fature të çmimit të energjisë, duke luajtur te taksa mbi energjinë. Në shumë vende të Evropës kjo taksë po hiqet. Në një çmim 100% që paguajmë për energjinë, në shumë vende, gati gjysma janë taksat, në Francë karburanti vetëm 20% është çmimi bruto, 80% janë taksa. Kur Franca kërkoi ta rriste akoma më shumë këtë çmim të karburantit, ajo pësoi atë që pamë, manifestimet e jelekverdhëve. Duke patur këtë armë në dorë, që është pjesa më e madhe e faturës taksë. Atëherë qeverisë në këtë moment krize e heqin këtë taksë dhe TVSH. Franca, Spanja dhe Italia këtë gjë po bëjnë. Po heqin taksat. Ata po shkojnë më larg akoma, në Francë dhe Itali po i jepet familjeve në nevojë një cek për të përballuar krizën.

Pse Rama ka frikë nga kjo krizë, duke qenë se qeveria ka thënë se ka dhënë me qira dhjetëra HECE. Këtë tepricë energjie që kemi ne në kohën e tregjeve, Rama e eksporton jashtë, sepse kjo do të ishte e dënueshme. Rama foli për krizë energjie botërore, po Shqipëria pse preket? Sepse Shqipëria ka dhe energji elektrike nga uji dhe energji gazi. Më bëhet qejfi që opozita po reagon, por ata nuk duhet të reagonin ku foli Rama, por më parë”, tha analisti.
Analisti foli dhe për krizën globale. Ai tha se krizat janë të ndryshme në vende të ndryshme dhe këtu iu referua Anglisë, e cila nuk është se po përballet me krizë energjitike, por me mungesë të forcës punëtore.

“Krizat janë të veçanta. Anglia, po ta përshkruash me Luftën e 2 Botërore. Anglia asokohe kishte avionë, por i mungonin pilotë dhe kjo u zgjidh duke shkuar pilotë lindorë. Kësaj here Anglia nuk ka probleme me energjinë, por ka problem punëtorësh, e cila duhet të transportojë energjinë. Nuk është i njëjti problem me vendet e tjera. Amerikanët sot janë gati prodhues numër 1 për gazin.

Amerikanët i thanë që këtë gaz ua sjellim ne, mos merrni nga Rusia, e njëjta që ka ndodhur në Vlorë. Ky ishte presioni i parë i amerikanëve për të shitur gazin e tyre në Evropë”, u shpreh Burimi

Si përfundim, analisti Burimi është i mendimit që qeveria të heqë dorë nga taksat mbi çmimet energjitike, në mënyrë që të menaxhohet kjo situatë.

“Rama të shet sapunin për djathë. Para disa muajsh thoshte jo Skavica, jo Hecet. Ky është turp, këtë duhet të bëj opozita, një bilanc të qartë ku jemi sot. Kemi 40 vite që flasim për Skavicën, është hidrocentrali i 4-t. Ky nuk është bërë për arsye financiare. Pse Rama priti dy mandate dhe tani pranon të bëj Skavicën. E para pse vonoi? E dyta pse tani? Dhe e treta pse pa tender? Jo. S’e pranojmë që të jemi në krizë energjetike, sepse ai na mësoi të mos e pranojmë, sepse na ka thënë që jemi vend i bekuar nga Zoti. Nëse jemi në krizë energjie qeveria të heqë dorë nga taksat dhe shqiptarët të paguajnë kostot që janë dhe tani”, tha ndër të tjera analisti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb