Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, e cilësoi arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si një “inskenim me regji” nga mazhoranca, duke e krahasuar me trajtimin e kreut të PL-së, Ilir Meta.
Në një deklaratë të ashpër, Blushi akuzoi qeverinë për përdorim selektiv të drejtësisë, duke pretenduar se Veliaj po amnistohet për korrupsionin masiv, ndërsa Meta mbahet “në izolim ekstrem pa prova”.
Sipas tij, Veliaj është përgjegjës për një sërë aferash korruptive, përfshirë inceneratorin e Tiranës, pastrimin e parave, shkatërrimin e trashëgimisë kulturore dhe zhvatjen e qytetarëve. Blushi e konsideroi kreun e Bashkisë si “arkitektin e një organizate kriminale” që ka shkatërruar kryeqytetin dhe ka lejuar pastrimin e parave të grupeve mafioze.