Policia ka zbardhur një rast vjedhjeje të ndodhur në një biznes në fshatin Batër të Matit, duke arrestuar dy persona dhe shpallur në kërkim një tjetër.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat kanë reaguar menjëherë pas denoncimit të ngjarjes, duke organizuar operacionin policor të koduar “Limiti”, në kuadër të të cilit u bë identifikimi, lokalizimi dhe arrestimi i autorëve të dyshuar.
Në pranga kanë rënë shtetasit me inicialet M.H., 30 vjeç, dhe Y.P., 31 vjeç, banues në Burrel, ndërsa është shpallur në kërkim edhe shtetasi K.N., 23 vjeç.
Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar një sasi mallrash të raportuar si të vjedhura, një automjet të dyshuar të përdorur në ngjarje, një aparat celular, si dhe sende të tjera si një bajonetë metalike, dorezë metalike dhe veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes.
Sipas hetimeve paraprake, tre shtetasit dyshohet se kanë bashkëpunuar në kryerjen e vjedhjes në subjektin tregtar, ndërsa vijojnë verifikimet për përfshirjen e tyre edhe në raste të tjera të ngjashme.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme procedurale.
