TIRANË

Presidenti i Republikës, Ilir Meta tha se Shqipëria duhet të hyjë në epokën e referendumit. Me një deklaratë për mediat nga Presidenca, Meta pohoi se partitë politike kanë dështuar, dhe kjo faktohet nga mungesa e dialogut dhe nga largimi masiv i shqiptarëve drejt vendeve të tjera.

Kreu i Republikës ftoi qytetarët në 8 dhjetor në Qytetin Studenti, ndërsa shtoi se aty do të japë detaje për mënyrën se si do shtrohet edhe pyetja e referendumit. Sipas tij, është koha tani që qytetarët të kuptojnë qartë faktin se partitë politike nuk duhet t’i trajtojnë më si viktima, por përkundrazi, partitë duhet t’i nënshtrohen vullnetit të sovranit.

“Në Shqipëri nuk ka më votime, por vetëm komandime. Kjo duhet të marrë fund dhe këtë do të realizojmë  të gjithë së bashku. Në 8 dhjetor fillon një dhjetor i dytë.  Në të gjitha sheshet e Shqipërisë do të komunikojmë më popullit. Presidenti është palë me popullin dhe referendumit, në mënyrë që populli të mos jetë viktimë e lojërave të partitive, por të jetën partitë që ti nënshtrohen vullnetit të qytetarëve. Nëse do bëjnë një ligj që do të cenojë interesat, populli shqiptar do ti përgjigjet me referendum. Epoka e partive përfundoi, ata nuk prodhojnë dialog të besueshëm, gjithmonë do të bëjnë lojëra të tilla dhe do t’ia hedhin fajin njëra tjetrës. Shqipëria duhet të hyjë në epokën e referendumit. Kjo klasë politike ka përfunduar në mënyrën më të turpshme. Kjo është një gjë që nuk duhet të vazhdojë më. Partitë dështuan. Nuk vijohet kështu. Ka humbur llogaridhënia ndaj qytetarëve. Shqipëria po shkon tatëpjetë dhe populli do të japë zgjidhje të mençura”-tha ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb