Trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti, ka dhënë mendimet e tij për ndeshjen e radhës të të kuqve, sfidën ndaj Vllaznisë. Ai ka shprehur besimin se ekipi do të dijë të kthejë në favor të vet një duel ku të kuqtë nuk shohin fitore prej shumë kohësh, ndërsa la të hapur gjithçka sa i përket situatës së Skukës, i cili është aktualisht i dëmtuar dhe në dyshim.

Loja – “Ne do të bëjmë maksimumin, kemi marrë masat. Do të jetë e vështirë por besoj e shpresojmë që këtë ndeshje që kemi kohë pa fituar, ta fitojmë nesër.

Sa i përket ndryshimit në stilin e lojës, normalisht jam fokusuar te skuadra tani. Patjetër që e kam parë skuadrën dhe si e ka interpretuar lojën më para, është filozofia e trajnerit Daja i cili kishte mënyrën e tij. Çdo trajner ka profilin e vet, jam munduar që të gjithë lojtarët të luajnë në pozicionet tyre dhe të krijojmë fizionominë tonë të lojës, duke iu përshtatur edhe kundërshtarit.

Skuka – Dihet që në ndeshjen me Skënderbeun, Skuka ka sakrifikuar se ka pasur probleme fizike. Por mendoj që skuadra është e rëndësishme në të gjithë elementet. Skuka është sulmues, bën diferencën sepse është ai që bën golin, por mendoj se skuadra ka bërë mirë përveç disa momenteve ku nuk jemi vendosur mirë në fazën difensive.

Për mendimin tim Skuka duhet të rritet edhe më shumë se ka potencialin që të arrijë shumë më lart se sa ka bërë deri tani. I kam dhënë besim por ka shumë nevojë të sinkronizohet edhe në aspektin taktik se është lojtar shumë individual.

Diferencat – Të gjithë skuadrat krijojnë respekt, por megjithatë mendoj se skuadrat kanë shumë pak diferenca e kanë oshilacionet e tyre. Ne do të bëjmë maksimumin e shohim ndeshjet javë pas jave. Janë ndeshje të rëndësishme, por edhe ne jemi Partizani e ata do ta kenë gjithashtu të vështirë me ne.

Problemet – Kemi vetëm problemin e Skukës që dihet dhe do ta shohim me stafin se ka pasur prapë shqetësime, duke pasur parasysh ndryshimin e stadiumeve dhe terrenin ku stërvitemi, krijojnë edhe lodhje.

Kemi 3 javë që bëjmë ndeshje çdo 3-4 ditë dhe në aspektin fizik jemi munduar ta menaxhojmë ekipin, duke alternuar stërvitjen dhe të ruajmë kondicionin, shpresojmë të menaxhojmë mirë se është faktor i rëndësishëm për të menaxhuar këtë ndeshje.

Këto katër ndeshje të ardhshme janë pothuajse çdo 4-5 ditë, shpresojmë ta menaxhojmë mirë të gjithë grupin se në të tilla situata duhet të jemi të gjithë në ekuilibër për të plotësuar mungesat që mund të kemi.

Vllaznia – Duke pasur parasysh që të dy skuadrat, edhe Vllaznia, edhe ne, që bëjmë futboll të hapur, shpresojmë që të ketë një interesim të madh të tifozëve tanë dhe shpresoj ti kënaqim me lojë e rezultat. Duke pasur parasysh kundërshtarin që të lë hapësira, shpresojmë që të bëjmë një lojë shumë të mirë dhe nëpermjet saj të arrijmë edhe rezultatin.

Skuadra ka potencial por duhet që edhe lojtarët të kenë besimin e duhur për t’u përballur denjësisht, por duhet të kenë edhe besimin për të arritur maksimumin. Jemi Partizani dhe nuk kemi kohë që të bëjmë hapa fals.

Mendoj se kampionati është i vështirë dhe shumë pak kemi diferenca. Edhe ata poshtë tabelës kanë shkallë vështirësie. Normalisht, vështirësi më të mëdha janë këto që do të ndeshemi tani dhe shpresojmë që të tregojmë forcën tonë”, tha Mehmeti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb