TIRANË

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar duke përshëndetur apelin e koalicionit politik gjerman të CDU/CSU, i cili iu kërkoi palëve që të dialogojnë temat të cilat kanë ndarë spektrin politik në Shqipëri.

Lideri i selisë blu, në reagimin e tij në rrjetin social “Facebook” shprehet se  konfirmon gatishmërinë e tij për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa përshëndet angazhimin e Gjermanisë për zgjidhjen e krizës në vend, e cila sipas tij, do t’i hapë rrugë Shqipërisë drejt antarësimit në BE.

“Mirënjohje Gjermanisë mike dhe mbështetëse të Shqipërisë, për vëmendjen dhe shqetësimin ndaj problemeve që kanë penguar integrimin europian, si mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, lidhjet e politikës me krimin, mungesa e luftës ndaj krimit dhe korrupsionit. Në emër të PD dhe të Opozitës së Bashkuar konfirmoj gatishmërinë tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mirëpres angazhimin e Gjermanisë mike për zgjidhjen e kësaj krize dhe hapjen e rrugës europiane të Shqipërisë”-shkruan Basha.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: