Reformat në polici do të jenë sot në qendër të vemendjes së Kongresit amerikan. Republikanët e Senatit, ku ata kanë shumicën, do të paraqesin planet për trajtimin e pabarazive racore në zbatimin e ligjit ndërsa demokratët që kanë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve do të dalin me propozimet e tyre për reforma edhe më të mëdha.

Më shumë se tre javë pas vrasjes së afrikano-amerikanit George Floyd në arrest policor, që u bë shkak për protesta në mbarë vendin, senatori Tim Scott, republikani i vetëm afrikano-amerikan në Senat, pritet të propozojë një projektligj që dekurajon përdorimin e teknikave policore të shtrëngimit të qafës, kërkon nga departamentet e policisë të japin më shumë informacion mbi përdorimin e forcës dhe urdhrat e gjykatës për të hyrë pa trokitur në shtëpitë e personave të dyshuar.

Projektligji po ashtu inkurajon përdorimin e kamerave trupore dhe trainim më të mirë të policisë.
Demokratët ndërkaq kanë në plan të paraqesin një projekt-ligj në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Gjyqësorin, që ndalon shtrëngimin e qafës, vendos standarde më të rrepta për përdorimin e forcës vdekjeprurëse dhe ua bën më të lehtë viktimave dhe familjeve të tyre të padisin policinë.

Dje, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për reformat në polici. Ai tha se kjo do të inkurajojë departamentet e policisë “të miratojnë standardet më të larta profesionale për t’u shërbyer komuniteteve të tyre”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb