E gjithë Europa është duke u përballur me pasojat ekonomike të luftës në Ukrainë, megjithatë vështirësi të mëdha në këtë sektor ka pasur Britania, e cila është duke u përballur me inflacionin më të lartë në 41 vjet.

Ministri i financave Jeremy Hunt lajmëroi se masat që do të ndërmerren për të vënë në kontroll situatën, janë rritja e taksave dhe shkurtime të shpenzimeve, në mënyrë që të kontrollohet rritja e çmimeve.

Zyra për Statistikat Kombëtare deklaroi se çmimet janë rritur me 11% gjatë muajit të kaluar, ndërkohë që shifra më e lartë e inflacionit është shënuar më 1981.

Rritja e inflacionit ishte parashikuar nga ekspertët e ekonomisë.

Megjithatë Zyra për Statistikat Kombëtare (OSN), u shpreh se goditja e ekonomisë do të ishte më e madhe dhe inflacioni do të ishte rritur me 13.8% gjatë tetorit nëse qeveria nuk do të kishte ndërhyrë për të kufizuar çmimet e faturave të energjisë elektrike

Ministri Hunt është shprehur se mbi buxhetin që do të diskutohet nesër, do merren vendime të vështira por të nevojshme për të trajtuar rritjen e çmimeve.

“Është detyra jonë të ndihmojmë Bankën e Britanisë në misionin e saj për të kthyer inflacionin në objektiv, duke vepruar me përgjegjësi me financat e vendit”, tha Hunt në një deklaratë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: