“Nuk e kisha menduar kurrë që do isha dëshmitare e një ngjarjeje të tillë”. Kështu u shpreh kryeredaktorja e “News24”, Anila Jole, teksa foli për tërmetin katastrofik të 26 nëntorit, në emisionin “Kjo Javë”, të gazetares Nisida Tufa.

E emocionuar ende kur flet për tërmetin, Jole theksoi se ajo ishte padyshim ngjarja më e rëndë që ka përjetuar Shqipëria që pas vitit të kobshëm të 1997-ës.

Duke folur për momentet e tmerrshme me të cilët u përballën gazetarët gjatë transmetimit live, Anila tregoi edhe çastin që ka lënë më shumë gjurmë në mendjen e saj, momentin e shembjes së vilës së familjes Lala, në Kënetë të Durrësit.

Pjesë nga intervista:
Vijmë te fatkeqësia natyrore, tërmeti i 26 nëntorit … Si u pa kjo ngjarje shumë e vështirë në News24?
Kjo ishte ngjarja më e rëndë që mund të na ketë ndodhur si komb. Pas ’97 nuk mbaj mend të ketë pasur një ngjarje kaq të rëndë, por të një natyre tjetër, një tronditje kombëtare. Ngjarje jashtëzakonisht e rëndë, që traumatizoi njerëzit. Një 30-sekondsh që ndryshoi jetën e qindra njerëzve, atyre që i ka lënë në qiell të hapur, por edhe të ne të tjerëve. Është një lloj mërzie, një lloj trishtimi që na la tërmeti. Edhe kjo Krishtlindje nuk ishte si të tjerat. Nuk mund të gëzoje, kur mendoje se shumë njerëz ishin jashtë. Edhe gazetarët u trembën atë ditë, por u desh të shkonin në punë, në një kohë kur shumë qytetarë morën rrugën të shkonin ku të mundeshin për t’u qetësuar.

Ne ia dolëm shumë mirë të ishim në të gjitha pikat e nxehta. Ka pas një klithmë në masë, ku vila e Lalajve u rrëzua në mëngjes. Ne ishim në transmetim live, kur Ramë Lala sapo kishte kërkuar ujë, dhe vetëm pak çaste më vonë, vila e tij u shemb në sytë tanë. Ajo ishte jashtë çdo përfytyrimi, nuk e kisha menduar kurrë që do isha dëshmitare.

Si mbërriti informacioni i parë në Neës24 që kishte viktima nga tërmeti dhe pallate të shembura?
Morëm vesh që epiqendra e tërmetit ishte afër Durrësit dhe që ka probleme. Por nuk dinim ku t’i çonim kamerat, ku ishin problemet. Një e afërmja ime në Durrës kishte dalë me makinë nga frika dhe kishte parë vilma Palma të parën. Më telefonon dhe më thotë që “Anila është rrëzuar vilma Palma”. Unë kurrë nuk e besoja si mund të rrëzohej një pallat dhe tjerët të qëndronin. Pa e parë gazetari me sy, nuk mund ta thoja se me dukej jashtë çdo fantazie. Pak minuta pas tërmetit lexova në “Facebook” se ishin rrëzuar dy ndërtesa dhe mund të kishte viktima, dhe i thashë menjëherë gazetarit Erjon Skëndaj se duhet të nisej në Thumanë. Menjëherë filluam transmetimet live, ku morëm vesh se ka viktima, por kishim dhe shpresë se do dilnin njerëz të gjallë, pasi kishte zëra nën rrënoja.

Ekipet nga jashtë…
Kjo të sjell në mend punën e madhe që kanë bërë forcat tona dhe ushtria, por edhe problemet e mëdha që kanë. Na thonin gazetarët tanë se njerëzit vinin aty dhe nuk kishin mjete, apo përvojën për ta bërë këtë gjë. Ky duhet të jetë një mësim shumë i mirë për politikën shqiptare, ne duhet të jemi gati, edhe sikur të mos ketë më tërmete. Duhet një skuadër shpëtimi e trajnuar, si ata që erdhën nga jashtë, dhe që ndoshta do të kishim shpëtuar edhe më shumë jetë njerëzish.

Zonja Luljeta Bozo …
Një zonjë grua. Unë e kisha njohur, por shumë njerëz e njohën pas tërmetit dhe kjo është fatkeqësi. Ajo është një profesioniste e zonja, e njohur dhe në botë, dhe që na shpjegoi të gjithëve se si duhet të ndërtojmë. Ne duhet të fillojmë të ndërgjegjësohemi, që kurrë të mos na ndodhë ajo që ndodhi.

Për Krishtlindje Papa foli në shqip, përcolli një mesazh dhe një lutje për shqiptarët pas tërmetit…
Krishtlindjet për mua, por besoj edhe për të tjerët, nuk ishte ajo që do të ishte në një vit të zakonshëm. Më bëri përshtypje një fjalë e Imzot George Frendo në meshën e Krishtlindjes, se ne do t’i kthehemi tërmetit shumë herë, do lërë gjurmë në jetët tona, kur iu bëri thirrje atyre që abuzojnë, që kanë rritur çmimet apo që kanë vjedhur ndihmat, kur i paralajmëroi të mos e bëjnë këtë se të këqijat e Zotit do iu bien mbi kokë. Është momenti të solidarizohemi dhe jo të bëjnë tregti dhe të përfitojmë nga kjo situatë.

Shpresoj që ky tërmeti të ketë lënë një mesazh edhe te liderët politikë, te kjo klasë politike, që të lënë pas ato energjitë e harxhuara kot për luftë politike dhe të kuptojnë se jeta është shumë e shkurtër, mund të të ndërpritet papritur, dhe ato energji që ke mund t’i përdorësh për Shqipërinë, për popullin tënd.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: