TIRANË- Selia Blu ka vijuar denoncimin e shkeljeve sipas saj nga ana e maxhorancës të Kodit Zgjedhor. Deputeti i PD-së, Gert Bogdani tha se Edi Rama vazhdon të shkelë Kodin Zgjedhor, duke vënë në shërbim të kandidatit të tij për Tiranën administratën dhe asetet publike. Bogdani solli si shembull, shpërndarjen e lejeve të legalizimit nga Veliaj dhe kreu i ALUIZNI-t gjatë ditës së sotme.

“Partia Demokratike denoncon para opinionit publik dhe institucioneve ndërkombëtare përdorimin nga Edi Rama për qëllime elektorale të institucioneve qeveritare, fondeve dhe administratës publike. Pas urdhrit ndaj drejtorëve të administratës publike për të mbushur kutitë e votimit, Edi Rama ka urdhëruar vënien e institucioneve publike në dispozicion të fushatës së kandidatit për Tiranën. Është e disata herë që kandidati i Edi Ramës dhunon hapur nenin 3 të Kodit Zgjedhor duke përdorur ALUIZNI-n dhe legalizimet si zyrë partiake. Kjo ndodhi edhe sot në njësinë 11 kur kandidati i Edi Ramës, një qytetar privat pa asnjë atribut publik, shpërndau leje elektorale”, u shpreh Bogdani.

Ai i bëri thirrje Prokurorisë dhë KQZ-së të hetojë këto shkelje. “Edhe sa duhet te presë e çfarë duhet të ndodhë më shumë që KQZ dhe Prokuroria të marrë masat e nevojshme? Sepse nëse kandidati rilindas i kryeqytetit nuk është mësuar të respektojë ligjin, e kanë detyrë institucionet ta bëjnë ta zbatojë atë”, u shpreh deputeti i PD-së.

Bogdani i kujtoi kandidatit të ASHE-së se aktivitetin e sotëm e zhvilloi në një shkollë të re, të ndërtuar nga Bashkia e Tiranës.

“Sidoqoftë, aktiviteti i sotëm shërben për të nxjerrë në pah të gjithë falsitetin dhe gënjeshtrat e përditshme të Erion Velisë, sepse po zhvillohet në shkollën e re Ahmet Gashi në Laprakë, një nga shkollat e reja të ndërtuara nga Bashkia e Tiranës gjatë vitit 2014”, u shpreh ai.

Deputeti Bogdani risolli edhe njëherë në vëmendje shkeljet në Kodin zgjedhor, i cili ndalon përdorimin e aseteve publike në fushatë.

 

“Përdorimi i institucioneve, fondeve dhe administratës publike, është shkelje e rëndë dhe flagrante e nenit 3 të Kodit Zgjedhor, i cili ndalon përdorimin e aseteve publike në fushatën elektorale dhe konkretisht në pikën 7 dhe të 8 të këtij neni thuhet :

Pika 7. Me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj, ndalohet vënia në përdorim të subjekteve zgjedhore i mjeteve, fondeve dhe materialeve të ndryshme pronë publike, si dhe i burimeve njerëzore të administratës publike të çdo niveli.

Pika 8. Institucionet e administratës publike, të çdo niveli, me veprimtarinë̈ e tyre nuk duhet të cenojnë̈ zhvillimin e zgjedhjeve”, sqaroi ai.

Më tej, Bogdani në emër të PD-së u bëri thirrje misionit të OSBE-ODIHR dhe përfaqësive diplomatike të BE-së dhe SHBA-ve të monitorojnë këto shkelje.

“Partia Demokratike i bën thirrje misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR, dhe përfaqësive diplomatike të BE-së dhe SHBA-së të monitorojnë nga afër këto shkelje të ligjit dhe cenimin e standardeve të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ne i bëjmë thirrje prokurorisë të nisë menjëherë procedimin penal dhe të vërë para ligjit autorët dhe përgjegjësit e kësaj shkelje të hapur dhe të rëndë të Kodit Zgjedhor”, përfundoi ai.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: