TIRANË-“Skandali me kompaninë EAG po thellohet çdo ditë me faktet e reja që po dalin në dritë”. Kështu u shpreh sot në një konferencë për mediat, deputetja e PD Albana Vokshi. Sipas saj kompania EAG po pasurohet me bekimin e qeverisë.  “Drejtoresha e Erion Veliajt ka detyruar specialisten e prokurimit me presione dhe kërcënime që të firmosë proçedurën e paligjshme sepse paratë i duheshin kaluar me çdo kusht kompanisë EAG. Drejtuesja e agjencisë për mbrojtjen e fëmijëve që varet nga Erion Veliaj ka vendosur t’i kalojë plot 25 milionë lekë firmës me një tender fiktiv, pasi fituesja ishte shpallur ndërkohë dhe produkti ekzistonte. Pra thjeshtë duheshin sajuar letrat që kompania të merrte nga Erion Veliaj 25 milionë lekë”. Nga ana tjetër sipas deputetes Vokshi, “specialisja e prokurimit Luiza Gjonaj e ka kundërshtuar drejtoreshën duke thënë se kjo proçedurë është e paligjshme. Por Ina Verzivolli ka insistuar dhe shantazhuar specialisten deri në largim nga puna në rast se nuk do t’i firmoste paratë që do të shkonin për EAG”, ka thënë më tej Vokshi. Gjithashtu u shpreh se nuk ka patur asnjë reagim nga ana e kryeministrit dhe ministrit Erion Veliaj lidhur me këtë rast korruptiv, pasi kjo kompani po bekohet nga qeveria duke përfituar në kurriz të taksave të qytetarëve.

 

Deklarata e plote

Skandali korruptiv me kompaninë qeveritare EAG, thellohet edhe më shumë me faktet e reja që dalin në dritë.

 

Drejtoresha e Erion Veliajt ka detyruar specialisten e prokurimit, me presione e kërcënime sistematike, që të firmosë procedurën e paligjshme, sepse paratë i duheshin kaluar me cdo kusht kompanisë EAG.

 

Drejtuesja e Agjensisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, që varet nga Erion Veliaj, ka vendosur t’i kalojë 25 milionë firmës, me një tender fiktiv, pasi fituesja ishte shpallur, dhe ndërkohë produkti ekzistonte.

 

Pra thjesht duheshin sajuar letrat që EAG të merrte nga Erion Veliaj 25 milionë lekë.

 

Specialistja e prokurimit, Luiza Gjonaj, ka kundërshtuar drejtoreshën, duke i thënë se kjo është e paligjshme.

 

Por njeriu i Veliajt, Ina Verzivolli ka insistuar, dhe e ka shantazhuar me largim nga puna zonjën Gjonaj nëse nuk do të firmoste që paratë të shkonin për EAG-në.

 

Në këto kushte, specialistja i drejtohet me një ankesë Ministrit Veliaj dhe Kryeministrit Rama, duke u bërë të ditur shkeljet dhe abuzimin që po ndodhte në agjensi.

 

Kemi këtu letrën që zonja Gjonaj i ka dërguar Edi Ramës dhe ministrit të tij Veliaj.

 

“Kryetarja e Agjensisë na vendosi para urdhërit për të filluar procedurën e prokurimit, pa shpallje paraprake”, shkruan Gjonaj.

 

“7 ditë para se të nxirrej urdhëri për fillimin e procedurës, kryetarja e agjensisë e kishte vendosur se cila kompani private do të fitonte, madje produkti ishte prodhuar ndërkohë”, shkruan Gjonaj në ankesën drejtuar Ramës.

 

“Kjo mënyrë veprimi, në shkelje të cdo lloj norme ligjore, duke detyruar punonjësin me të gjitha format për të firmosur procedura fiktive, duke paracaktuar fituesin për të prodhuar mallra e shërbime që paguhen nga institucione, s’është gjë tjetër vetëm përfitim i paligjshëm”, i shkruan Ramës dhe Veliajt, specialistja.

 

Po sigurisht, asnjë përgjigje nuk erdhi nga Edi Rama. As nga Erion Veliaj. Nuk mund të ketë përgjigje, sepse EAG është krijuar, është rritur dhe po pasurohet cdo ditë, me bekimin e qeverisë.

 

Kjo kompani qeveritare që zotërohet nga njerëzit më të afërt të Edi Ramës, ka arritur në 8 muaj të marrë 520 milionë lekë nga shumë zyra e agjensi qeveritare, pra është majmur me taksat e shqiptarëve.

 

Kjo është shëmbëlltyra e kësaj qeverie.

 

Teksa qytetarët varfërohen cdo ditë, humbasin cdo ditë vendet e punës, biznesi i qeveritarëve me taksat e shqiptarëve rritet dhe llogaritë e tyre bankare fryhen.

 

Kjo e keqe po sundon sot në Shqipëri.

 

Por qytetarët do ta ndalin përpara se të jetë vonë.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: