TIRANE- Partia Demokratike ka dorëzuar sot në Kuvend, një kërkesë për referendum për ligjin e mbetjeve. Në fillim të seancës së sotme plenare, deputeti demokrat Edi Paloka kërkoi që kërkesa e PD të futet në rend ditë dhe të votohet në seancë.

Paloka tha se lejimi i mbetjeve rrezikon shëndetin dhe jetën e qytetarëve shqiptarë.

Në kërkesën për referendum, Paloka tha se qytetarët duhet të pyeten “a duhet të lejohet importi i mbetjeve?”

“Kërkojmë nga Kuvendi miratimin e kërkesës për referendum. Pyetja që shtrohet për referendum është ‘A duhet të lejohet importi i mbetjeve në territorin e Shqipërisë’”, tha Paloka.

“Importi i mbetjeve nuk përputhet as me objektivin social kushtetues që shteti synon ndër të tjera, një mjedis të shëndetshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Qëndrimi ynë përveç paraqitjes së referendumit paraqesim edhe qëndrimin e PD lidhur me këtë çështje. Ne jemi kundër, i themi “Jo” lejimit të importit të mbetjeve: rrezikon jetën e qytetarëve, krijon premisa të kontrollit nga grupe kriminale ndërkombëtare”, tha deputeti Paloka.

Në përgjigje të kërkesës së PD­së, kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi tha se ligji i miratuar nuk ka asnjë lidhje me atë të miratuar nga demokratët gjatë kohës që ishin në pushtet.

“Po flisni për plehra ndërkohë që nuk ka kaluar asnjë ligj për plehra. Flisni për plehra, e groposje, kur ligji që kemi kaluar nuk lejon as djegie as groposje, por vetëm riciklim. Flisni që në Shqipëri kushdo mund të fusë plehra, kur ligji kufizon në mënyrë drastike pikat nga do hyjë, si dhe përcakton burimet njerëzore të kualifikuara. Ju ka mbetur mendja të ligji juaj. Po ligji juaj është groposur, ashtu siç janë groposur shumë plehra në Shqipëri. Ligji aktual parashikon importimin e lëndëve të para për industrinë e përpunimit të mbetjeve. Ju doni të bënit ligjin që e bëmë ne”, tha Ruçi.

Sipas deputetit socialist, “me qëllim të caktuar doni të helmatisni sepse kujtoni që shqiptarët duan të hanë sapunin për djathë. Aq të paaftë jeni se kërkoni referendum saqë doni të grumbulloni 60 mijë firmat që mblodhëm ne. Në qoftë se doni referendum, mblidhni firmat dhe zbatoni referendumin. Ne e thamë hapur që do kërkojmë referendum dhe nuk u fshehëm. Thamë që do vijmë në pushtet dhe do ta anulojmë, dhe e anuluam. Thamë që do ta korrigjojmë dhe e korrigjuam”.

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta tha se “sot na erdhi kërkesa, duhet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve”.

Por pas fjalës së deputetit Ruçi, reagoi sërish kreu i grupit parlamentar të PD. Paloka tha se referendumi është i rëndësishëm për të dëgjuar zërin e qytetarëve.

“Rama edhe pse është mashtrues më i zoti se ju, nuk mund të mashtrojë shqiptarët. Ndaj ne kërkojmë referendum. Nuk duam atë me firmat që thoni ju se keni marrë disa vite më parë. Por duam një referendum të ri. Ato qytetarë që thoni ju se kanë firmosur, nuk kanë treguar vullnetin tuaj apo të Ramës, por vullnetin e tyre, sepse si qytetarë ku duan të rrisin fëmijët e tyre, nuk mund të pranojnë që vendin ynë të kthehet në vendgrumbullim plehrash. Kuvendi nuk mund të shprehet për këtë çështje, por vetëm qytetarët shqiptarë. Nuk presim që ju ta miratoni, por futeni në rend dite. Jemi të bindur që nuk do ta votoni. Nuk jeni që të lejoni qytetarët shqiptarë të shprehin vullnetin e tyre, jo për këtë çështje, por për të gjitha”, tha Paloka.

Gjatë debateve ndërhyri edhe ish-kryeministri Berisha, duke thënë se “Kam një propozim. Të marrim një thes me plehra dhe ta vendosim aty përpara qeverisë”.

Në përgjigje të tij, Balla tha “Jam Dakord. Marrim një thes. Të fusim ty brenda dhe e vendosim aty”.

KËRKESA PËR REFERENDUM, PD: POPULLI TË VENDOSË PËR PLEHRAT, JO QEVERIA
Partia Demokratike ka depozituar sot në Kuvend, kërkesën e 28 deputetëve për mbajtjen e një referendum të përgjithshëm me pyetjen; A duhet të lejohet importi i mbetjeve në territorin e Shqipërisë?

“Grupi Parlamentar i PD vlerëson se lejimi i importit të llojeve të caktuara të mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë, cenon interesin publik, për shkak se, rrezikon jetën dhe shëndetin e brezave të sotëm dhe të ardhshëm; krijon premisë të qartë të shfytëzimit të këtij aktiviteti nga grupet kriminale ndërkombëtare të importimit të mbetjeve të rrezikshme; bie ndesh me prioritetet ekonomike kombëtare, si dhe me zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë. Ky fakt nënkupton se, lejimi ose jo i importimit të llojeve të caktuara të mbetjeve, është cështje me interes publik dhe për pasojë ajo konsiderohet një cështje me rëndësi të vecantë, në kuptim të nenit 150/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Ndaj, Partia Demokratike kërkon që ky vendim të mos i lihet qeverisë, por populli të thotë fjalën e tij përfundimtare për këtë cështje”, thuhet në njoftimin e PD.

Bashkangjitur, kërkesa e plotë për referendumin e depozituar sot në Kuvend.
[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2016/09/kerkesa-per-referendum.docx” viewer=”microsoft”]

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb