TIRANË- Partia Demokratike ka akuzuar sot kreun e OSHEE, Ardian Çela për mashtrim pasi të ardhurat që ai ka deklaruar për këtë kompani janë më të larta se ato realet. Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma tha sot se “një investigim i fundit i medias, ka zbuluar se bleta punëtore e Edi Ramës, Ardian Cela, është në fakt një brumbull mashtrues”.

“Siç raporton media vetë shkresat zyrtare hedhin poshtë gënjeshtrat e kapobandës së OSHEE për të ardhurat në vitin e kaluar, të cilat nuk janë 59.4 miliardë lekë sa thotë bleta e Ramës, por janë 54.2 miliardë. Ky është një mashtrim i përsëritur. Edhe një vit më parë, është mashtruar me rritjen e të ardhurave, duke i deklaruar 16.5 miliardë lekë, kur në fakt ishin më pak se gjysma, 7 miliardë lekë”, deklaroi Duma.

Sipas saj, ‘gënjeshtrat me miliarda lekë janë provë e vjedhjeve, e hajdutërisë, e korrupsionit, janë një përpjekje mjerane për të ushqyer propagandën e sukseseve të paqena të Edi Ramës’.

“Ky mashtrim bëhet nga OSHEE, nga banda e Edi Ramës që u merr jetën të pamundurve, me arrogance e me kërbaç, që shpërndan në mënyrë korruptive e klienteliste qindra milionë euro, paratë e gjakut të shqiptarëve, në xhepat e deputetëve e carapulëve të Edi Ramës”, tha ajo.

Duma iu është drejtuar qytetarëve, të cilët siç tha ajo kanë në dorë t’i japin fund mashtrimeve dhe vjedhjeve.

“Të dashur qytetarë ju e keni në dorë, të gjithë së bashku e kemi në dorë t’i japim fund mashtrimeve dhe vjedhjeve të OSHEE, Ardian Celës dhe shefit të tij Edi Rama, duke afruar ditën kur ai do të mbajë përgjegjësi deri më një para ligjit, për korrupsionin, dhunimin e të pamundurve, dhe vjedhjet skandaloze me paratë e gjakut të shqiptarëve”, përfundoi Duma.

OSHEE: PO PERBALTET PUNA JONE, JA E VERTETA E FINANCAVE
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka reaguar sot ndaj akuzave të Partisë Demokratike, referuar shkrimit të reporter.al duke sqaruar se kanë deklaruar çdo të dhënë financiare të aktivitetit dhe se kjo është lehtësisht e verifikueshme. Akuzat e PD-së OSHEE-ja i cilëson përbaltje të punës së tyre.
OSHEE-ja sqaron se në 2015 të ardhurat janë 63.9 mld lekë, ndërsa arkëtimet 65.4 mld lekë
OSHEE sqaron se Në vitin 2015 shoqëria arkëtoi më shumë, ndërsa ka kursyer 60 mln euro nga blerja e energjisë.

“Në lidhje me artikullin e datës 19 janar te portali reporter.al, sqarojmë se OSHEE ka deklaruar në mënyrë transparente dhe me përgjegjësi maksimale cdo të dhënë financiare të aktivitetit të saj. Këto të dhëna janë shumë lehtë të verifikueshme jo vetëm në regjistrat financiare të shoqërisë por edhe në Organet Tatimore si dhe ERE ku ajo deklaron në mënyrë mujore të dhënat për aktivitetin e saj të Shitjes dhe Arkëtimeve. Përsa i përket të dhënave të krahasuara në mënyre aspak profesionale dhe korrekte nga ana Reporter, ju sqarojmë si më poshtë:

Në artikullin e Reporter bëhet një krahasim midis Arkëtimeve të OSHEE për vitin 2015 me Te Ardhurat e realizuara për të njejtin vit.

Së pari, këto janë dy të dhëna të ndryshme, ku Arkëtimet janë shuma e Lekëve të arkëtuara nga pagesat e klientëve të OSHEE dhe deklarohen me TVSH, ndërkohë Të Ardhurat janë vlera e energjisë së faturuar të cilat në Pasqyrat Financiare të shoqerise paraqiten pa TVSH. Ky sqarim për të qenë profesionist dhe korrekt në mënyrën se si krahasohen këto dy të dhëna.

Së dyti, për të dhënë një pasqyrë të plotë të të dhënave të realizuara nga OSHEE sqarojmë:- Arkëtimet prej 59.4 Miliardë Lek për 11-mujor të përmendura në artikull, janë absolutisht të sakta dhe janë të deklaruara përfshirë TVSH, shifër kjo e bazuar në pagesat e kryera nga Klientët e shoqërisë.

Dhe këto Arkëtime për vitin 2015 në total rezultuan në vlerën e 65.4 Miliardë Lek nga 49 Miliardë Lek që ishin në vitin 2014, ose 16 Miliardë lek më shumë.

Arkëtimet totale arritën në 65,4 Miliardë dhe janë frut i përpjekjeve që lidhen me rritjen e performancës dhe eficencës manaxheriale e shprehur me një normë arkëtimi korrente për kategorinë familjare e cila arriti vlerën rreth 90% në fund të 2015 nga 67% të arritur ne fund të vitit 2014, duke shprehur sërish mbështetjen e publikut dhe suksesin e përpjekjeve të vijueshme.
– Të Ardhurat (faturimet) në vitin 2015 rezultojnë në vlerën e 54.6 Miliardë Lek nga 47.3 Miliardë në vitin 2014.

Dhe theksojmë që këto vlera janë pa TVSH, ndryshe nga cka paraqiten të dhënat e Arkëtimeve më sipër. Nëse këto të Ardhura do t’i paraqesim me TVSH atëherë të Ardhurat e realizuara për 2015 rezultojnë në vleren e 63.9 Miliardë Lek. Nëse do të bëhet një përmbledhje e rezultateve të OSHE për vitin 2015, Të Ardhurat e realizuara janë 54.6 Miliardë (pa TVSH) ose 63.9 Miliardë (me TVSH), dhe Arkëtimet rezultuan në vlerën e 65.4 Miliard (me TVSH), që do të thotë që shoqëria në total si rezultat financiar ka arkëtuar më shumë në vlerë gjatë 2015 se sa të Ardhura e realizuara nga Faturimi i Energjisë dhe Shërbimeve tëtjera. Çdo e dhënë financiare e deklaruar nga shoqëria është me përgjegjësi të plotë, dhe gjithashtu e lehtësisht e verifikueshme konkretisht nëpërmjet Bankave për Arketimet prej 65.4 Miliardë Lek (perfshire TVSH), dhe nëpërmjet Librave të Shitjeve të deklaruara në Tatim Taksa për Të Ardhurat prej 63.9 Miliardë Lek (përfshirë TVSH), për të cilat dhe shoqëria ka paguar TVSH cdo muaj si dhe do Tatohet për këto të Ardhura të realizuara.

Vlen të ritheksojmë që shoqëria OSHEE raporton cdo muaj të dhënat e saj financiare duke i bërë ato publike për cdo palë të interesuar dhe verifikimi i tyre mund të kryhet në cdo moment.
Deklarata të tilla të papërgjegjshme pë diferenca miliona Euro, nuk vlejnë për asgjë përvec përbaltjes në mënyrë të padrejtë të gjithë punës dhe arritjeve të jashtëzakonshme dhe historike që kjo shoqëri ka arritur të regjistrojë gjatë vitit 2015, duke bërë të mundur për herë të parë në historinë e saj që shoqëria të rezultojë me fitim duke bërë të mundur mbulimin e gjithë shpenzimeve dhe investimeve me fondet e veta pa rritur më tej borxhet e shoqërisë.

Dyshimet mbi saktësinë dhe besueshmërinë e raportimit financiar duke i dhënë zë mungeses së lëshimit të një opinioni nga audituesit e shoqërisë janë një përpjekje e padenjë dhe një mungesë e theksuar respekti për kategorinë e njerëzve që përpiqen të realizojnë objektivat e vendosura, e bërë kjo me dashje nga gazetari, në të njëjtën mënyrë që administrimi i shoqërisë ndër vitet 2009-2013 anashkaloi cdo rregull të sistemit të kontrollit të brendshëm për marrjen e një sigurie mbi aktivet e shoqërisë (fikse dhe korrente) që cuan në degjenerimin e vlerës së kapitalit të shoqërisë dhe që për vitet që vijnë do të rëndojnë mbi opinionet mbi pasqyrat financiare duke evidentuar këto parregullsi.

Në lidhje me Hetimin e Autoritetit të Konkurrenës, deklarojmë se ky institucion, me shkresën nr 479/1,datë 29.12.2015, vendimi 388, dt.14.12.2015 i Autoritetit të Konkurrencës, konkludon me mbylljen e hetimit ndaj ndërmarrjeve GSA, EFT ndërmarrjeve të grupit GEN-I dhe kompanisë OSHEE duke konkluduar qe “nuk ka shenja të kufizimit të konkurrencës si pasojë e sjelles së ndërmarrjeve në treg”.

Fal procedurave konkurruese, garës transparente, si dhe uljes së humbjeve, OSHEE ka mundur të kursejë nga blerja e energjisë elektrike, plot 60 milionë euro.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: