Partia Demokratike ka vijuar edhe sot akuzat ndaj kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku.

Vetëm një ditë pas publikimit të dokumenteve, që tregonin se Kajmaku është arrestuar në Greqi për falsifikim parash, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, ka publikuar sot të dhënat e sistemit TIMS për kryebashkiakun Kajmaku, që sipas tij, janë një provë e pakontestueshme se kryebashkiaku socialist ka qenë i arrestuar në vendin fqinj.

  • foto galeri
  • foto galeri

“Sipas rregullave në fuqi, kur një shtetas pajiset me pasaportë, të dhënat e tij hidhen menjëherë në sistemin shtetëror TIMS. Këtë dokument autentik ne e posedojmë dhe, nëpërmjet tij, provojmë në mënyrë të pakundërshtueshme se Agim Kajmaku i Bashkisë së Vorës është Jorgo Toto, i arrestuar në vitin 2003 në Greqi. Sipas sistemit shtetëror TIMS, Agim Kajmaku (që është ekzaktësisht personi që shikoni në foto), kur ka patur emrin Jorgo Toto, i datëlindjes 06.07.1971, i biri i Imer dhe Maxhe, ka qenë posedues ekzaktësisht i pasaportës me Nr. Z 0148497. Kjo është një provë e pakontestueshme që Jorgo Toto i arrestuar në Greqi me pasaportën me nr. Z 0148497, është Jorgo Toto, që ju shikoni në foto, me pasaportën me nr. Z 0148497, dhe që sot mban emrin Agim Kajmaku”, tha Bardhi.

Më tej, Bardhi deklaroi se kandidati i Ramës në momentin e arrestimit ka dhënë emra fallso për prindërit e tij, ndërsa rikujtoi edhe njëherë pesë faktet që PD publikoi dje për Kajmakun.

Pjesë nga deklarata e Bardhit:

E vërteta është ajo e deklaruar nga Partia Demokratike që dje. Jorgo Toto, i arrestuar në Greqi në vitin 2003, me masë arresti në burg, në fuqi, për kryerjen e një krimi, është ekzaktësisht Agim Kajmaku, kandidati i Edi Ramës për Vorën., megjithëse ai, në momentin e arrestimit, ka dhënë emra fallco për nënën dhe babin e tij. Në vendimin e drejtësisë greke, të cilin ne e bëmë publik dje, Jorgo Toto paraqitet me amësi Parashivi dhe atësi Thanas. Kjo ka ndodhur, sepse në pasaportën e shtetasve shqiptarë nuk pasqyrohen të dhënat e atësisë dhe amësisë. Për këtë arsye, në procesverbalin e arrestimit, të dhënat për atësinë dhe amësinë, pasqyrohen ashtu siç deklarohen nga vetë i arrestuari. Pavarësisht përpjekjes për të mashtruar autoritetet greke, në momentin e arrestimit Jorgo Toto ka patur me vete pasaportën e tij, e cila ka një numër unik identifikimi dhe e cila është regjistruar në vendimin për arrestimin e Jorgo Totos. Në faqen 13 të këtij vendimi, të publikuar dje, thuhet se shtetasi i arrestuar për krimin që dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim, është shtetasi shqiptar Jorgo Toto që posedon pasaportën me nr. Z 0148497.

Partia Demokratike paraqiti dje 5 fakte.
1. Agim Kajmaku me emrin Jorgo Toto është arrestuar në Greqi në vitin 2003 për një krim që dënohet deri në 10 vjet burg.
2. Agim Kajmaku e ka fshehur arrestimin në Formularin e Dekriminalizimit.
3. Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, sot e kësaj dite, është me masë arresti me burg në fuqi në Greqi.
4. Agim Kajmaku me emrin Jorgo Toto, me proces penal të hapur në Greqi, është në kërkim kombëtar nga drejtesia greke.
5. Agim Kajmaku ndalohet nga ligji i dekriminalizimit të jetë kandidat për kryetar bashkie. Për fshehjen e krimit, ligji parashikon humbjen e menjëhershme të mandatit dhe burg deri në 4 vjet.
Megjithëse provat janë publike, Edi Rama vazhdon të heshtë për t’i dhënë kohë strategjisë së tij prej burracaku, që nuk i mbron direkt kriminelët e vet në bashki, por përdor mercenarët në media për të thënë se Agimi Kajmaku nuk është Jorgo Toto, i arrestuar në Greqi. Me pseudo alibinë se Jorgo Toto i arrestuar në 2003-shin është një person tjetër dhe se emri është thjesht një rastësi me atë që ka përdorur dikur Agim Kajmaku, Edi Rama synon të mashtrojë qytetarët, duke mbrojtur pushtetin e vet kriminal.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: