Partia Demokratike kërkon që SPAK të nisë hetimet për ndërtimin e autostradës Tirane-Elbasan, pasi sipas demokratëve, përmes kësaj vepre te madhe publike janë grabitur miliona euro nga taksat e shqiptarëve. Albana Vokshi hodhi akuza ndaj qeverisë se ka paguar kundër ligjit 10 milionë euro për firmën nënkontraktore “Inerte Express” në pronësi të Edmond Begos.

“Trafikanti i drogës Edmond Bego është prova më e qartë dhe e pakundërshtueshme se ai hyri si nënkontraktor pas vitit 2015 dhe u pagua 10 milionë euro për punimet në autostradë vetëm pasi lidhi miqësi me Taulant Ballën.

Pagesat për mikun trafikant të numrit 2 të Partisë Socialiste, përmes kompanisë ‘Inerte Express’ janë të shkruara e zeza mbi të bardhë. Janë 10 milionë euro të paguara kundër ligjit si nënkontraktor për punimet në autostradën Tiranë – Elbasan, që kur Edmond Bego u bë mik familjar me Taulant Ballën.

Lista e pagesave tregon se punimet e trafikantit të Taulant Ballës janë kryer për firmën ‘Aktor’ nga viti 2015 deri në vitin 2018 në kundërshtim me ligjet e vendit.

Ky është një rast që duhet të hetohet me prioritet nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion”, deklaroi Vokshi.

Teksa ka publikuar edhe listën e pagesave për punimet në rrugën Tiranë-Elbasan, PD thekson se Edmond Bego e ka të ndaluar nga ligji i prokurimeve publike që të marrë pjesë në tendera, pasi është dënuar për trafik droge.

“Trafikanti i drogës Edmond Bego e ka të ndaluar nga ligji i prokurimeve publike që të marrë pjesë në tendera. Sipas ligjit asnjë i dënuar për trafik droge nuk mund të përfitojë para publike.

Por, kur një trafikant është mik i Taulant Ballës, ligji shkelet me të dyja këmbët nga qeveria e Edi Ramës, duke i bërë dhuratë atij 10 milionë euro.

Për këtë drejtësia duhet të hetojë.

SPAK dhe organet e tjera të hetimit duhet të verifikojnë të gjithë procedurën sesi i dënuari Edmond Bego ka marrë në shkelje të ligjit 10 milion euro nga qeveria shqiptare”, u shpreh më tej Vokshi.

Pas akuzave të Partisë Demokratike News24 iu drejtua avokatit të Edmond Begos, Z. Ardi Leka i cili thotë se në një nga kontratat për të cilën Bego akuzohet nga PD e ka fituar në vitin 2012 kur në pushtet ka qënë Partia Demokratike.

Avokati Leka tregon edhe kontratën e lidhur në 27 gusht të 2012.

“PD bën gabim dhe nuk shpreh të vërtetën gënjen. Po ju vendos në dispozicion kontratën që është lidhur që në 27.08.2012 ndërmjet shoqërisë ‘Iinerte Express’ dhe kompanisë ‘Aktor’ në të cilën thuhet që këto dy shoqëri duhet të bëjnë aktivitet nënkontraktor në lidhje me rrugën Tiranë-Elbasan. Që në vitin 2012 e në vazhdim ku në pushtet nuk kishte ardhur as PS, as Rama dhe as Taulant Balla. Është një aktivitet që është lidhur në kohën që këta njerëzit sot po e shajnë kanë qenë në pushtet”, deklaroi Leka.

Avokati i Begos hedh poshtë shifrën e Partisë Demokratike se firma ‘Inert Express’ e Edmond Begos ka fituar 10 mln euro si nënkontraktor i punimeve për rrugën Tiranë-Elbasan.

“Në total e gjithë vlera e xhiros shkon në nivelin 7 mln euro jo 10 mln euro, janë zera pune jo fitim. Nëse PD thotë janë 10 mln euro fitim është mashtrimi i radhës. Në keto vlera kompania fitimin e ka nga 10% në 12%. Nga Gushti i vitit 2012-2018. Nuk kanë me çfarë të merren, i bien ‘Inert Expresit’”, deklaroi ai.

Për të gjithë akuzat e bëra në emër të Edmond Begos, avokati i tij thotë se do t’i drejtohet organeve të drejtësisë.

“Tani eshte rradha qe ne nuk do tolerojme më, do t’i drejtohemi drejtësise por këto që them janë të vërteta me dokumente dhe të depozituara në Tatime”, theksoi Leka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb