Mbi 100 efektivë Policie janë angazhuar maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë pelegrinazhit në malin e Tomorrit, si dhe për përballimin e fluksit të qytetarëve që frekuentojnë qytetin, gjatë këtyre ditëve.

Masat dhe gatishmëria, në disa drejtime, po implementohen nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, në bashkëpunim me FNSH Fier, Njësinë Operacionale për Sigurinë Rrugore, organet e pushtetit vendor, PMNZSH–në, spitalin rajonal të Beratit dhe me Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.

Gjatë ditëve të pelegrinazhit është garantuar rendi dhe siguria publike, parandalimi i incidenteve, lëvizja e lehtësuar e përdoruesve të rrugës dhe parandalimi i aksidenteve rrugore.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat informon të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët që po marrin pjesë aktualisht në pelegrinazh dhe ata që do të marrin pjesë, në ditët në vijim, se në të gjitha akset rrugore dhe në ambientet përreth teqesë së Kulmakut, 24 orë dhe deri në përfundim të pelegrinazhit, do të ketë prezencë të shërbimeve të Policisë, të cilat do t’ju asistojnë dhe do t’ju japin ndihmë, në çdo rast nevoje.

Gjithashtu, falënderon qytetarët për mbështetjen dhe për mirëkuptimin, si dhe iu uron pelegrinazh të mbarë, në ditët në vijim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb