Në orën 20:45, në Wembley, Kombëtarja shqiptare do të ndeshet me përfaqësuesen angleze, në një ndeshje të rëndësishme për të dyja skuadra. Anglia për të siguruar vendin e parë në grup, ndërsa Shqipëria luan shanset minimale për në play-off.

Një ndeshje e veçantë edhe për trajnerin Edy Reja. Për trajnerin kuqezi, do të jetë ndeshja e parë që do të drejtojë një ekip në stadiumin e famshëm londinez. Në një intervistë për “Gazetta dello Sport”, Reja tregon shumë detaje:

“Unë kam qenë vetëm një herë në Wembley, si vëzhgues. Në Londër kam kaluar vetëm një fundjavë, falë vajzës sime, Elizabeth. Profesioni dhe pasioni për detin më kanë mbajtur gjithmonë larg ishullit britanik”.

E mbani mend Anglinë si futbollist?

Më kujtohet një ndeshje e 20 dhjetorit 1967, në Nottingham. Në fund të ndeshjes u kthyem në hotel, britanikët dolën me gratë dhe të dashurat. Ne e kishim zili lirinë e tyre. Në atë kohë ne duhej të silleshim si prift, ndërsa në Angli ishin vitet e “Beatles”.

Pra, nuk mbanit dot flokë të gjata…

Ne mbanim flokë më të valëzuar. Mua më pëlqenin “Beatles” dhe shpirti që buronte nga këngët e tyre.

Po futbolli në Premier League?

Burimet ekonomike dhe të huajt, lojtarët dhe teknikët, kanë lejuar që kampionati anglez të bëhet më interesanti në botë. Ka kampionë të mëdhenj në Premier League, por edhe në kohën time ka pasur futboll të nivelit të lartë. Mendoj për Bobby Charlton, George Best dhe atë mesfushor të ashpër, Stiles.

Capture

Shqipëria luan shpresat e pakta për t’u kualifikuar në ‘play-off’, por ëndrra juaj kalon edhe nga rezultatet e skuadrave të tjera në grup…

Ne ishim të pafat në dy ndeshjet me Poloninë, mes dëmtimeve, mungesave prej Covid-19 dhe një penalltie të mohuar.

Si e pritni Anglinë?

Skuadra e Southgate do të luajë pa tension. Kam përshtypjen se britanikët nuk e ndiejnë presionin në “Ëembley”.

Si ndihesh të debutosh në moshën 76 vjeçare në “Wembley”?

Ky është çmim për pasionin. Pas Catanias, në vitin 2003 kisha vendosur të largohesha nga futbolli. U regjistrova në kurs për të marrë një licencë detare. Doja t’i bija rreth Adriatikut me varkë, bregdeti kroat është fantastik. Një mbrëmje mora telefonatë nga Cellino, ai më ofroi të drejtoja Cagliari.

Nuk pranova fillimisht, sepse doja të shijoja detin, por po atë natë më telefonoi sërish dhe të nesërmen firmosa kontratën. Aty filloi karriera ime si trajner. Pastaj rrugëtimi i gjatë deri më sot: Napoli, Lazio, Hajduk, Atalanta, Shqipëria. Më pëlqen trajnimi, sepse je në kontakt me të rinjtë dhe mbetesh i lidhur me botën.

Miqtë tuaj të një jete?

Bruno Pizzul, Fabio Capello.

Pas Mancinit dhe Marco Ross-it, ju jeni italiani i tretë që sfidoni Southgate gjatë këtij viti…

Time out (koha mbaroi). Ju përshëndes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb