NGA OLA MITRE*

TIRANË- Reforma e pensioneve, e cila ka hyrë në fuqi në datën 1 janar 2015, reflektohet edhe në përllogaritjen e pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve. Sipas formulës së ndryshuar, për këtë kategori, pensioni do të përllogaritet duke shumëzuar pagën mesatare referuese mujore neto me numrin e viteve të shërbimit si dhe me 1.5% (Pensioni i Parakohshëm për Vjetërsi Shërbimi = Paga Mesatare Referuese Mujore Neto x Vitet e Shërbimit x 1.5%).

Ndërkaq, Instituti i Sigurimeve Shoqërore shpjegon se, në çdo rast, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë, i cili përcaktohet nga Këshilli i Ministrave. Duke iu referuar reformës së re të pensioneve, pensioni bazë u zëvendësua nga pensioni social, i cili për vitin 2015 përllogaritet në masën 6 646 lekë në muaj, ndërkohë që çdo vit do të indeksohet me inflacionin. Po ashtu, për t’u ardhur në ndihmë të interesuarve, ISSH-ja sjell edhe shembuj konkretë se si mund të përllogaritet masa e këtij pensioni, në mënyrë që çdokush të dijë paraprakisht masën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.

Kështu, supozojmë se ushtarakut në rezervë apo lirim me iniciale A.B., i lind e drejta për të përfituar pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi më datë 8 maj 2015. Ai ka 17 vite në shërbim dhe paga mesatare referuese mujore neto është 36 937 lekë në muaj. Në këtë rast, duke iu referuar formulës së mësipërme, llogaritja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet në këtë mënyrë: PPVSH = 36 937 lekë x 17 x 1.5% = 9 419 lekë në muaj.

Ndërkaq, nëse i referohemi parimit se masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni social, kjo do të thotë se në rastin tonë, ushtaraku në fjalë do të përfitojë të plotë vlerën totale. Kjo pasi pensioni social është më i ulët sesa vlera totale që del nga vitet e shërbimit dhe paga mesatare referuese mujore neto. Në rast se kjo shumë do të dilte më e vogël se 6646 lekë në muaj, atëherë A.B. do ta përfitonte automatikisht këtë shumë. Pra, ish-ushtaraku A.B., në datën 8 maj 2015 do të përfitojë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 9 419 lekë/muaj.

Kushtet
Të drejtën për të përfituar pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi e ka ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm në Forcat e Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, i SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Të gjithë këta punonjës, pavarësisht nga koha e daljes në rezervë apo lirim, deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, fitojnë të drejtën e pensionit të parakohshëm, kur plotësojnë vjetërsinë në shërbim, 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt, si dhe kanë mbushur moshën 42 vjeç femrat dhe 47 vjeç meshkujt.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: