Nga: ERL MURATI*
TIRANE – Përgjigjja, shkurt, është jo”. Michael Carpenter është shumë i qartë kur pyetet për pasojat eventuale që mund të ketë lënë në marrëdhënien SHBA-Shqipëri, refuzimi i shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë. Tre vite më parë, përgjigjja negative e qeverisë shqiptare ndaj ofertës amerikane u përjetua si dramë. Shumëkush mendoi se kjo do të kishte efekt të pakorrigjueshëm në bashkëpunimin mes dy vendeve. “Ne jemi mirënjohës që Shqipëria shqyrtoi mundësitë për shkatërrimin e armëve kimike. Me sinqeritet, marrëdhëniet tona janë forcuar ndjeshëm gjatë tre viteve të fundit”, thotë Zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”. Biseda zhvillohet në një sallë të vogël të një hoteli në Tiranë. Në sallën ngjitur, zv/sekretarja e Shtetit, Victoria Nuland po përpiqet të bindë Lulzim Bashën t’i thotë “Po” reformës në drejtësi.
“Realizimi i një reforme të mirë të drejtësisë nuk është thjesht çështje progresi ekonomik, rritje e Prodhimit të Brendshëm Bruto, dhe zhvillimi demokratik; në fakt është jetësore për sigurinë tuaj kombëtare”, thotë Dr. Carpenter për “GSH”.
Dr. Carpenter, të fillojmë duke folur pak për situatën në rajonin e Ballkanit dhe kërcënimet e reja të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Duket se është shtuar interesi dhe vëmendja e SHBA-ve për këto kërcënime të reja. Dua t’ju pyes, si munden Shtetet e Bashkuara ta ndihmojnë rajonin e Ballkanit të godasë ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin?
Sapo jemi kthyer nga Samiti i Varshavës, ku diskutuam përshtatjen e Aleancës në mënyrë që të adresojë kërcënimet në Lindje dhe në Jug. Kundërveprimet ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit janë të dyja të rëndësishme. Konsultimet gjatë Samitit shqyrtuan kërcënimet nga Jugu të Aleancës, përfshirë ISIL, rritjen e tij dhe tani tkurrjen si rezultat i përpjekjeve të Koalicionit Global për të luftuar ISIL në Siri dhe Irak. Gjithashtu, diskutuam shtrirjen e ISIL, tumori malinj që është përhapur në Afrikën e Veriut, në Sahel, Libi dhe pjesë të tjera të botës.
Duke qenë se sapo kemi përfunduar këto bisedime, ka një fokus të qartë te kundërterrorizmi, kundërveprimi ndaj luftëtarëve të huaj terroristë, dhe lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm. Në fakt, kjo është një nga arsyet pse NATO e ka zgjedhur Shqipërinë si vendndodhjen e një qendre të ekselencës për goditjen e luftëtarëve të huaj terroristë. Shqipëria ka pasur rol qendror në përpjekjen për të goditur ekstremizmin e dhunshëm, duke mbajtur këtu një samit në maj të vitit 2015 dhe duke marrë pjesë në Samitin në Shtëpinë e Bardhë thirrur nga Presidenti Obama për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.
Këto çështje janë të rëndësishme jo vetëm në Ballkan, por në rajon Shqipëria ka luajtur një rol udhëheqës dhe kemi qenë të kënaqur që punojmë me qeverinë tuaj. Jemi të kënaqur të shohim se kjo qeveri, si shumë të tjera në rajon, ka aprovuar legjislacion të posaçëm që e kthen në krim lëvizjen e luftëtarëve të huaj terroristë. Kjo ka qenë shumë e rëndësishme. Është ndjekur nga disa vende të tjera. Sidoqoftë, mbetet ende shumë për të bërë. Kjo punë nuk bëhet vetëm nga ministritë e brendshme apo Pentagoni – në fakt është një përpjekje e qeverive në tërësi, duke përfshirë ministritë e brendshme, agjencitë e inteligjencës, dhe institucione të tjera. Kjo kërkon koordinim të gjerë si brenda vendit, por, gjithashtu, dhe dua ta theksoj këtë, midis vendeve. Për këtë arsye e shohim rolin rajonal të Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor si shumë të rëndësishëm.
Shqipëria është anëtare e NATO-s prej shtatë vitesh tashmë. A janë kapacitetet e Shqipërisë të njëjta me ato të 27 vendeve të tjera të NATO-s?
Që nga anëtarësimi në NATO Shqipëria ka bërë vërtet përparim dhe roli i saj si aleat i NATO-s është rritur. Sigurisht, secili prej 28 vendeve anëtare të NATO-s ka kapacitete të ndryshme, në varësi të madhësisë së tyre, investimit ushtarak dhe PBB-së, por Shqipëria me të vërtetë që ka bërë përmirësime ndër vite. Sigurisht, do të donim shumë të shohim që Shqipëria të shpenzojë 2% të PBB-së për mbrojtjen në përputhje me zotimin që të gjithë aleatët e NATO-s bënë në Samitin e Uellsit para dy vitesh. Këtij zotimi, për të arritur nivelin 2%, i është lënë 10 vjet kohë për përmbushje. Shpresojmë që Shqipëria do të jetë një nga Aleatët që do të ndjekë shembullin e të tjerëve brenda këtij afati. Një tjetër angazhim njësoj i rëndësishëm në këtë zotim të Uellsit ishte ai për të shpenzuar 20% të buxhetit të mbrojtjes për pajisje dhe investime kapitale për të modernizuar Aleancën. Ky investim garanton që Aleatët të kenë aftësi dhe kapacitete luftarake efektive.
Shqipëria ka qenë e palëkundur. Ka kontribuar trupa për Misionin Mbështetës “Resolute” në Afganistan. Ka kontribuar në përpjekjen kundër ISIL dhe gjithashtu është anëtare e Koalicionit Global Kundër ISIL. Shqipëria ka trupa në KFOR dhe në Task-Forcën e Përbashkët për Gatishmëri Shumë të Lartë. Jemi shumë të kënaqur me kontributet e Shqipërisë dhe presim nga Aleatët tanë që të bëjnë më shumë.
Dua ta vazhdojmë pak këtë temë dhe të fokusohemi te kontributi i Shqipërisë në misionet paqeruajtëse. Sapo kemi dëgjuar nga kryeministri të thotë se do të dyfishojmë praninë tonë ushtarake në Afganistan. Si e shohin Shtetet e Bashkuara rolin e Shqipërisë në këto misione? Kanë vërtet rëndësi?
Këto misione kanë rëndësi kritike. Ne mbështetemi tek aleatët tanë për të ndihmuar me shtimin e numrit të trupave për këto misione. Ata shërbejnë në misione kritike në mbështetje të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, qoftë duke parandaluar rritjen e organizatave terroriste si Al-Kaeda në Afganistan, ndihmën për trajnimin e irakianëve në përballjen me ISIL-in në Irak, apo me sigurimin e stabilitetit në rajon nëpërmjet KFOR-it. Këto janë misione tejet të rëndësishme që nuk mbështeten thjesht te paratë. Ato kërkojnë trupa në mënyrë që vetë misioni të realizohet. Kontributet e Shqipërisë janë mjaft të rëndësishme.
Disa vite më parë, saktësisht tre, qeveria e Shqipërisë refuzoi të pranonte armët kimike të Sirisë për demontim. A ndikoi kjo në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe në bashkëpunimin ushtarak?
Ne jemi mirënjohës që Shqipëria shqyrtoi mundësitë për shkatërrimin e armëve kimike. Me sinqeritet, marrëdhëniet tona janë forcuar ndjeshëm gjatë tre viteve të fundit. Përgjigjja, shkurt, është jo. Mendoj se marrëdhënia jonë është forcuar. Në fakt, unë isha këtu në maj për konsultime dypalëshe në fushën e mbrojtjes me Ministrinë shqiptare të Mbrojtjes. Ramë dakord për një numër nismash, përfshirë trajnimin për misionet paqeruajtëse, dislokime të përbashkëta ushtarake jashtë vendeve tona, bashkëpunim në Afganistan, përpjekjet e Koalicionit kundër ISIL, përgatitjen e trupave shqiptare me pajisje, duke përdorur poligone stërvitjeje këtu në Shqipëri, dhe stërvitje të përbashkëta. Mendoj se kjo provon se marrëdhëniet tona në fushën ushtarake janë përmirësuar në tre vitet e fundit. Jemi në një trajektore mjaft të mirë.
Aleanca e NATO-s i ka përcjellë një ftesë Malit të Zi që të anëtarësohet. Mendoni se ka ndonjë mundësi në të ardhmen, që një ditë Kosova t’i bashkohet Aleancës?
Shpresojmë të jetë kështu. Ne i mbështesim aspiratat euroatlantike të Kosovës për integrim në këto struktura. Sidoqoftë, do të jem i sinqertë. Ka mjaft rrugë për t’u përshkuar në zhvillimin e Kosovës si një shtet sovran, demokratik, multietnik, përfshirë marrëdhënie të normalizuara me Beogradin. Ne e mbështesim procesin e ndërmjetësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit.
Siç e dini, ka katër vende brenda NATO-s që nuk e njohin Kosovën. Kosova gjithashtu duhet të zgjidhë disa çështje brenda rajonit, por jemi optimistë. Ne po mbështesim shndërrimin gradual të forcave të sigurisë të Kosovës në forca të armatosura të Kosovës. Sërish, kjo nuk është një rrugë e lehtë. Kërkon ndryshime kushtetuese. Nuk ka rrugë të shkurtra në këtë proces, kështu që ne jemi duke mbështetur procesin dhe aspiratat euroatlantike të Kosovës.
Dëshiroj të flasim pak më tepër për situatën në vendin tim, Shqipëri. Siç e dini, ka një debat të fortë në Shqipëri për mbi një vit tani, për nevojën për reformë në drejtësi. Mendoni se sistemi i drejtësisë mund të ndikojë demokracinë, stabilitetin e një vendi dhe ndoshta atë të rajonit? Mendoni se një sistem gjyqësor i dobët mund ta ndikojë negativisht demokracinë e një vendi?
Shteti ligjor është jetësor jo vetëm për zhvillimin demokratik, por është kritik gjithashtu për sigurinë kombëtare. Kemi parë që vendet që i nënshtrohen korrupsionit dhe krimit të organizuar, pa një shtet ligjor të fortë, kanë siguri të ulët. Në fakt, këto kushte sjellin mungesë stabiliteti brenda rajonit. Realizimi i një reforme të mirë të drejtësisë nuk është thjesht çështje progresi ekonomik, rritje e Prodhimit të Brendshëm Bruto, dhe zhvillimi demokratik; në fakt është jetësore për sigurinë tuaj kombëtare.
Dr. Carpenter, faleminderit për intervistën!
Faleminderit. E vlerësoj!
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb