Pep Guardiola do të rikthehet në “Santiago Bernabeu” pak më shumë se dy vite pas vizitës së tij të fundit aty, gjithashtu me Manchester City, me synimin për t’u kualifikuar në finalen e Ligës së Kampionëve. Kjo e fundit do të luhet në Paris më 28 maj.

Pak rivalë i dinë më mirë të fshehtat e atij stadiumi dhe veçoritë e Real Madridit sesa trajneri katalanas, një “mace e zezë” e vërtetë e tifozëve të bardhë që nga koha e tij si trajner i Barcelonës.

Në 9 vizitat e tij me tri skuadrat që ka drejtuar, Pep Guardiola ka arritur të fitojë gjashtë herë në “Bernabeu”, ka barazuar dy herë dhe ka humbur vetëm një herë. Humbja e vetme është regjistruar me Bayern Munich në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions League, 2013-2014. Ajo disfatë kujtohet me lehtësi, 1-0 me golin e Karim Benzema.

Vetëm ai rezultat nga 9 që ka grumbulluar trajneri katalanas do t’i shërbente Real Madridit për të shpresuar të mërkurën. Me pjesën tjetër të rezultateve, “Los Blancos” do të eliminoheshin.

Nga pesë humbjet që kanë pësuar me Barcelonën e Guardiolës, dy janë veçanërisht të dhimbshme për të bardhët: 2-6 në vizitën e tij të parë si trajner në “Bernabeu” më 2009 dhe vitin e ardhshëm, kur u regjistrua rezultati 0-2 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions League.

Vizita e fundit e trajnerit katalanas ishte gjithashtu e hidhur për madrilenët, pasi humbën 1-2 ndaj Manchester City në ndeshjen e parë të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Në ndeshjen e dytë, pas mbylljes për shkak të pandemisë, dy gabime të Rapahel Varane e dënuan Real Madridin me eliminim të parakohshëm. Të mërkurën, “macja e zezë” e Real Madrid rikthehet në Bernabeu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb