Lufta është fati më i tmerrshëm që çdo komb mund të përjetojë në udhën e ekzistencës së vet. Ndoshta edhe më i tmerrshëm se ndonjë “apokalips” që mund të shfaroste njerëzimin, sepse luftrat janë produkt i fuqisë demone të njeriut kundër njeriut, ku mbizotëron urrejtja, mungesa e arsyes, dhembshurisë e mëshirës njerëzore.

Një realitet i tillë duket akoma edhe më i papranueshëm kur e mendon se ne jemi pjesë e një popullsie që ka fatin të jetojë në “epokën moderne”, ku mirëqënia e njerëzve dhe zhvillimi progresiv i shoqërive duhet të jenë kryefjala e përpjekjeve të shteteve dhe qeverive të tyre. Por fatkeqësisht nuk është kështu kudo e për këdo, për motive që janë të lidhura me rrënjët e historisë.

E dimë se jo të gjithë e jetojnë dritën e diellit e të yjeve që ndriçojnë sovranitetin e kombit të tyre, me liritë dhe të drejtat si pjesë e civilizimit të shekullit të 21, njësoj si këto vlera universale ekzistojnë në vendet me demokraci të zhvilluar.

Argumentat për të bërë analiza rreth ngjarjeve e konflikteve të këtyre përmasave anembanë botës mund të përplasin teori, arsye e fakte të shumta që padyshim na ndihmojnë të hulumtojmë rrënjët e problemeve që ka bashkëjetesa e popujve të ndryshëm apo ndikimi që kanë Fuqitë e Mëdha në ato territore. Këto teza mund të jenë nga më konsipirativet, deri te më të pakundërshtueshmet. Sepse e tillë është vetë shkenca e historisë dhe gjeopolitikës, një labirinth interesash nacionaliste në rafshin social, ekonomik, politik dhe atë diplomatik.

Të tilla argumenta ka me siguri edhe në rastin e situatës aktuale në Afganistan. Ka një përplasje gjykimish rreth vendimit të Presidentit Biden për të tërhequr menjëherë nga ai territor gjithë prezencën amerikane, vendim që ishte rrjedhojë e marrëveshjes së nënshkruar nga Donald Trump. Por ky është një debat kompleks që nuk na takon ne shqiptarëve ta bëjmë, duke përjashtuar akademikë apo profesionistë që përfshihen në këtë debat si studiues në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Papritmas e brenda vetëm pak ditëve, u duk sikur popullit afgan ora iu kthye dhe i ndali në vitin 2001 dhe gjithë investimi amerikan i dy dekadave u shua. Gjithsesi, unë nuk besoj se është vetëm kjo panoramë. Ditë pas dite situata do të qartësohet, duke shpresuar se nuk do të përkeqësohet pa kthim, sa kohë ekziston edhe një marrëveshje e SHBA-së me autoritetet afgane, të paktën për të mbrojtur ato kategori të shoqërisë afgane që gjatë 20 viteve të fundit e kanë ekspozuar veten si faktorë reformues.

Rruga e ndërtimit të shtetit afgan duket se do të jetë shumë e vështirë në rrethanat e reja, por siç e tha edhe Presidenti Biden, ajo do duhet të ndodhë fillimisht nga përpjekjet e vetë shoqërisë afgane, ku edhe mbështetja e SHBA në vazhdim me menyra të tjera nuk do të mungojë, paçka tërheqjes fizike të trupave.

Në kohën që jetojmë, realitetet politike në çdo cep të globit, në një botë gjithmonë e më shumë të globalizuar e ndërlidhur falë zhvillimit të teknologjisë, bëhen pjesë e pashmangshme e vëmendjes së secilit, në radhë të parë si qënie humane, pastaj si qytetarë me bindje e filozofi të ndryshme politike.

Kështu është edhe për Shqipërinë. Fatmirësisht, ne e kemi mundësinë të tregohemi solidarë me njerëz që jetojnë me ankthin e mbijetesës, pavarësisht mundësive tona të kufizuara. Dhe këtë duhet ta bëjmë jo thjesht në emër të detyrimit që kemi si anëtarë të NATO-s e faktit që edhe trupa shqiptare kanë kontribuar ndër vite në Afganistan me misione paqeruajtëse. As thjesht si shenjë besnikërie e përhershme ndaj aleancës strategjike me SHBA.

Më kryesorja, duhet të ofrojmë mbështetje sepse e kemi në ADN-në tonë e madje duhet ta kultivojmë edhe më shumë, dashurinë e njeriut për njeriun, si një popull që edhe kur ka vuajtur në periudha të errëta të historisë së vet, asnjëherë nuk e ka humbur identitetin liridashës dhe europianist, në mbrojtje të jetës dhe dinjitetit njerëzor.

Edhe këtë herë ne kemi rastin të tregohemi zemer e mendjehapur si qytetarë të emancipuar, që me shembullin tonë modest iu tregojmë të gjithëve se dimë jo vetëm të mendojmë globalisht, por edhe të veprojmë lokalisht me aq resurse sa kemi në mbrojtje të jetës, pa dallim kombësie, kulture dhe feje.

Ndaj, kush nuk e kupton këtë ose përpiqet dritëshkurtësisht të lëçitë argumenta të stisura politikisht, i frymëzuar nga kompleksi se çdo gjë që bën e thotë Rama e ka vetëm në funksion të interesit të tij politik, jo vetëm që duket jonjerëzor në sytë e audiencës së arsyeshme që e lexon, por edhe armik i vlerës më universale, asaj të humanizmit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb