TIRANE

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh edhe zëdhënëse e qeverisë, Elisa Spiropali në një dalje për mediat ka akuzuar PD-në, se po përdor politikisht përdhunimin e 13-vjeçares në Kavajë.  Spiropali, tha se në vende të tjera të botës bëhen filma për raste të tilla me ndjeshmëri të lartë sociale, por asnjëherë nuk përdoret politikisht nga partitë politike në vend.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin u shpreh se vajza është marrë nën mbrojtje psiko-sociale dhe shëndetësore.

“Nuk u besoja syve kur lexova deklaratën e PD-së, është dëshmi e qartë e dëshpërimit opozitar që nuk ngurron të përdorë edhe raste të tilla për ushqimin politik të ditës.

Policia e Shtetit në momentin që ka marrë denoncimin ka filluar menjëherë hetimin, personat e përfshirë janë duke u hetuar nga prokuroria dhe të jeni të sigurt që prokuroria do bëjë detyrën e saj.

Personat e përfshirë janë duke u hetuar nga Prokuroria. Sigurish që Prokuroria do bëje detyrën e saj. Agjencia për mbrojtjen e fëmijëve e ka marrë vajzën nën kujdes psiko-social dhe shëndetësor.

Ka raste në Amerikë, Finlandë apo kudo tjetër bëhen filma, por kurrë asnjë parti politike në këto vende nuk del për ta përdorur rastin për politikë për të gjetur fajtorin, shkaqet e pasojat te qeveria e një vendi”, tha Spiropali.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb