TIRANE

Dosjen e Prokurorisë së Durrësit për rastin e përdhunimit të një vajze 13-vjeçare nga shtatë shokë të klasës dhe i dashuri i saj e publikoi mbrëmjen e sotme në emisionin “Dritare me Rudinën” në News 24, gazetarja Klodjana Lala.

Por gjatë rrëfimeve në studio, psikologu Edmond Dragoti rrëfeu edhe detaje të reja. Sipas tij, ka qenë një mesazh në telefonin e djalit të pastrueses së shkollës, të cilit i kërkonte një shok një dhomë bosh për të kryer aktin e radhës me 13-vjeçaren. E alarmuar ajo ka njoftuar drejtoreshën e shkollës.

“Shkolla ka reaguar pozitivisht, njoftuan të ëmën, ajo donte ta fshihte ngjarjen. Ka qënë mësuesja kujdestare ajo që telefonoi të atin në emigracion. Është veprim këmbëngulës dhe shumë pozitiv që e çon ngjarjen drejt zbardhjes. Në momentin që është njoftuar babai ka qënë ai që ka bërë denoncimin”,- tha Dragoti.

Ndërsa ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro me të gjitha këto publikime nuk ndodh asgjë e re, veçse të shuhen disa kureshtje perverse. “Unë nuk e mbështes median që i publikon”,- tha ajo.

HISTORIA
Vajza jetonte me të ëmën. Babai ishte emigrant në Itali. Historia ka nisur në tetor 2018. Vajza ka qene në lidhje me një nga djemtë e klasës. Ai ka patur ditëlindjen dhe i ka kërkuar marrëdhënie. Fillimisht s’ka pranuar. Më pas kanë ikur në shtëpinë e gjyshes së djalit. Aty kanë kryer aktin gjatë të cilit janë filmuar nga njëri nga shokët e djalit. Përgjatë nëntorit-dhjetorit vajza ka shkuar edhe me shtatë djem të tjerë të cilët e shantazhonin me videon. Në mes të janarit 2019 një nga mësueset ka rënë në dijeni te skandalit dhe ka informuar nënën e vajzës. Shkolla nuk ka bërë denoncim për rastin dhe as vajza nuk është marrë për tu trajtuar. Nuk ka njoftuar as Bashkinë. Nëna e vajzës nuk e denoncuar dhjetë ditë. Pasi ka ardhur i shoqi nga Italia bashkë me vajzën me datë 29 janar kanë bërë denoncim në policinë e Kavajës. Denoncimi ka kaluar në prokurorinë e Durrësit e cila ka seksion për të mitur. Më datë 30 është regjistruar procedimi penal. Një ditë më pas më datë 31 janar ora 15.45 prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë arrest me burg në mungesë për tetë të miturit përfshi dhe të dashurin e vajzës. Më 1 shkurt gjykata caktoi masat dhe me 2 shkurt u bë i mundur arrestimi.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb