Kur kanë 3 javë nga arrestimi i Dritan Goxhajt me urdhër të Gjykatës Speciale të Kosovës dhe një ditë kur Apeli la në fuqi masën e arrestit në burg për ish-luftëtarin e UÇK, këtë të premte pa njoftuar avokatin dhe Goxhajn dhe familjen e tij, në Gjykatën e Tiranës tre përfaqësues të Gjykatës Speciale në fshehtësi kanë tentuar të bëjnë një seance gjyqësore me Dritan Goxhajn.

Mësohet se gjyqtari Gert Hoxha ka dhënë dorëheqjen dhe për këtë arsye gjyqi është shtyrë për të martën.

Pas kësaj ka reaguar për herë të parë edhe babai i Dritan Goxhajt, koloneli i njohur Dilaver Goxhaj, i cili ka qenë pjesëmarrës në luftën e Kosovës.

Intervista:

Koloneli Dilaver Goxhaj: Kur po dilte nga zyra e avokatit erdhi postieri dhe i solli njoftimin që u konfirmua kërkesa për rinovim. Por sot kanë dashur të bëjnë gjyqin për revokimin e masës së sigurisë,-i thamë. Në sallën e gjyqit konstatova se ishin administruesit e administratës së Gjykatës së Kosovës. Pra një gjyq pa prezencën e avokatit. Kjo ishte një befasi edhe për ne edhe për djalin. Çfarë është kjo urgjencë kaq e madhe? Duket sikur Shqipëria duket si protektorat i Gjykatës Speciale, kjo bën inekzistente të gjitha strukturat e shtetit shqiptar. Si është e mundur që nuk njoftohet as avokati dhe as familja dhe askush tjetër? I kërkoj gjykatës që ta bëjë me dyer të hapura. Është një shkelje e madhe që bëhet për djalin tim. I bëj thirrje qeverisë së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë që ta ndalojnë këtë rast. E them me bindjen e shpresën se kjo kërkesë do të merret parasysh. Avokati është në proces të përgatitjes që ta çojë në Strasburg për të hedhur në gjyq të dy qeveritë, për një shkelje kaq të madhe. Rast i paprecendent”, tha Dilaver Goxhaj.

Ndër të tjera shtoi se pas gjithë kësaj çështje qëndrojnë forca të caktuara të Europës që kanë qenë dhe janë aleatë me Serbinë.

Gjithashtu ai u shpreh: “Këtë e bëjnë forca të caktuara të Europës që kanë qenë dhe janë aleatë me Serbinë. Nuk e kam takuar djalin, sot që shkova të takoja më duheshin disa dokumente dhe nuk e takova. I bëj apel që të bëjnë vetëm drejtësi të shohin ligjet e Republikës së Shqipërisë. Edhe në kohën e sistemit monist, nuk dënohej njeri përse shkruhej kundër qeverisë, dënoheshin për veprimtari që donin të rrëzonin qeverinë, por gjyqe të tilla? Aq më keq që trajtohet në një gjykatë që Shqipëria nuk e njeh. Kërkon që gjyqi që është bërë me revokim nga avokati të bëhet me dyer të hapura që të jemi të qartë dhe i gjithë opinioni publik. Përse bëhet kjo këmbëngulje për ekstradimin me urgjencë për djalin tim”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb